16:21 / E Hënë, 19 Mars 2018 / indeksADMonline

Kontestohet roli prijës i Thaçit në dialogun me Serbinë

Përfaqësimi i Kosovës në dialogun e nivelit të lartë politik me Serbinë nga presidenti Hashim Thaçi, po kontestohet nga tabori i partive opozitare. Kuvendi i Kosovës, sipas deputetëve nga komisionet e ndryshme parlamentare, ka autorizuar Qeverinë dhe jo presidentin që ta përfaqësojë vendin në këtë dialog. Debatin rreth dialogut me Serbinë e ka organizuar Instituti Demokratik i Kosovës, i cili zakonisht, në fund mbledh konkluzione dhe ua përcjellë deputetëve për shqyrtim.

Aty, kryetarja e Komisionit për politikë të jashtme, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi e ka konfirmuar para Komisionit parlamentar se Qeveria nuk është koordinuar dhe as dakorduar zyrtarisht me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me rolin prijës të presidentit në dialogun me Serbinë.

“Ne kemi dy rezoluta të miratuara në Kuvend të cilat e autorizojnë Qeverinë për udhëheqjen e dialogut dhe jo presidentin”, tha Osmani.

Osmani kërkoi që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re e cila e qartëson rolin e Qeverisë, përkatësisht të konfirmonte rolin e Qeverisë në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Mirëpo, jo vetëm roli i presidentit, por deputetët kanë ngritur dyshime edhe te aftësia e delegacionit të ri qeveritar për përfaqësimin e Kosovës në nivelin teknik të bisedimeve me Serbinë.

Deputeti tjetër nga radhët e LDK-së në këtë komision, Driton Selmanaj tha se caktimi i koordinatorit të ri për bisedimet, Avni Arifi dhe delegacionit të ri për bisedimet, paraqet një zhvillim të ri.

“Për mua, qoftë Arifi apo delegacioni i ri është jokompetent për ta përfaqësuar Kosovën. Ky ekip më shumë i përngjanë një ekspedite turistësh sesa një delegacioni shtetëror për përfaqësimin e vendit. Aq më tepër kur tani procesi i bisedimeve po hyn në fazën finale”, tha Selmanaj.

Një paraqitje më të balancuar në raport me bisedimet kishte deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj e cila kërkoi nga deputetët që të mos nxitohen me vlerësime, por të kërkojnë dokumentet e nevojshme nga Qeveria për procesin e bisedimeve dhe më pas të njëjtat të paraqiten në Kuvend për shqyrtim.

Në ditën kur deputetët nga komisionet e ndryshme parlamentare po diskutonin çështjen e dialogut, në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë vazhduar bisedimet në nivelin teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Çështja e energjisë, ajo e lëvizjes së lirë dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vazhdojnë të dominojnë temat e këtyre takimeve.

Kurse të premten, më 23 mars, pritet që bisedimet të zhvillohen edhe në nivelin e lartë politik ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.