20:03 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kurti si Dreyfusi, i vetmi opozitar që mbahet brenda grilave në Europë !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Në asnjë vend të Europës nuk çohen në burg liderët politik për bindjet dhe veprimet politike. Kjo ngjet vetëm te ne në Kosovë. Jemi shtet demokratik a policor ? Albin Kurti, më i votuari në zgjedhjet e 11 qershorit, “incidentet” i shkaktoi brenda tempullit të demokracisë. Në skenë i ke Kurtistët dhe Antikurtistët. Shumica janë në anën e Albinit, kërkojnë lirimin e tij. Zotërinj gjyqtarë, mos shkelni në “mina” ! Tjetër është politika, tjetër drejtësia !

———————

Procesi gjyqësor i Albin Kurtit i (pa)zakontë ka ngritur në këmbë Kosovën, por edhe botën shqiptare. Shumica ia mbajnë anën, kundërshtarët e tij i fërkojnë duart… Më 29 dhjetor përfundon loja.

Këtë ditë është paraparë fjala përfundimtare. Del Albini nga ishulli i djallit apo jo, kjo pritet të shihet. Brenda grilave mbahet njeriu më i votuar në Kosovë, më 11 qershor 2017. Shteti e gozhdoi ngase ky i ra pusit, e turbulloi politikën, ua prishi sehiret rivalëve të tij. E tërë ajo çfarë akuzohet lideri i Vetëvendosjes, ka të bëj me “incidentet” brenda tempullit të demokracisë. Nuk veproi ai si privat, po si opozitar. Rivalët politik e bënë brumin, ia dërguan njerëzve të ligjit ta bëjnë punën e tyre.

Politikanët thonë, kjo s’është në dorën tonë, është në dorën e gjyqit. Prokurorët e gjykatësit janë rrogtarët e shtetit… Kur ata i përziejnë gishtërinjtë në politikë, bien pre e politikës, kësaj i thonë vrasje e drejtësisë. Në skenë i ke Kurtistët dhe Antikurtistët. Shumica ia mbajnë anën Albinit, kërkojnë lirimin e tij. Aty këtu në Europë burrë shtetasit i gjuajnë me vezë, patëllxhana… Dhe kurrgjë askujt. Në vendet me demokraci të zhvilluar liderët politik nuk i çojnë në burg. Kosova është përjashtim. Jemi shtet demokratik a policor ?

Albin Kurti s’e ka sefte. Ai ishte “pacient” i regjimit të Milosheviqit, i UNMIK-t, tash i Republikës së Kosovës. “Recidivistit” i bëjnë gjyqin ! Unë si gazetar e kam ndjekur procesin e Albin Kurtit në një gjyq që i bëri UNMIK-u. Gjykatësi Maurizio Salustro e ngriste zërin në gjykatore, i thoshte: Shuj, mbylle gojën… Ti s’mund të ma mbyllësh gojën, i kthente Albini. Salustro shpalli aktgjykimin: Albin Kurti lirohet nga akuza… Në vend se ai të ecën i lirë, ia vënë prangat, e çojnë në burgun e Prizrenit për “t’u shkarkuar”. Në komentin tim për gazetën ku punoja, Salustros i them kjo çfarë ke bërë ti nuk mund ta bësh as në Itali…

Ti ke shkelur në zonën kriminale – ke kryer veprën penale – “privimi i kundërligjshëm nga liria”. Albin Kurti është si Alfred Dreyfusi. Është e njohur Afera e Dreyfusit. Dreyfusi ishte çifut, anëtar i Shtabit të përgjithsheëm ushtarak të Francës. Këtij ia inskenojnë procesin, e akuzojnë për veprën penale të spiunazhit. E dënojnë me 10 vjet burg. Dergjet pesë vite në ishullin e djallit te Cayenne. E lirojnë pas letrës së shkrimtarit francez Emil Zola drejtuar presidentit të shtetit – “J’accuse…!” (Akuzoj… !), të publikuar më 1898 në gazetën “L’Aurore” të Klemansosë (Clemenceau). Dallimi ndërmjet Kurtit e Dreyfusit, ky i pari është politikan, i dyti – kapiten.

Albini dhe bashkëpartiakët e tij Donika Kadaj – Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, nuk akuzohen për spiunazh, po për veprat penale – “ Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, të sanksionuara sipas neneve 375 e 409 të Kodit Penal të Kosovës. Zotërinj gjyqtarë, mos shkelni në “mina” ! Tjetër është politika, tjetër drejtësia !