20:26 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kelmendi ia ‘shkundi pendlat’ kasapit të Ballkanit, Millosheviqit

Shkruan: Agim Muhaxheri

Avokati Bajram Kelmendi, si mbrojtësi i Alfred Dreyfusit, Fernand Labori, i doli zot Kosovës. E bëri luftën juridike në Tribunalin e Hagës. Këtu e dorëzoi kallëzimin penal kundër Sllobodan Millosheviqit dhe dosjen për krimet ndaj shqiptarëve. Kjo i kushtoi me jetë atij dhe dy bijve të tij Kastriotit dhe Kushtrimit. Kelmendi e citonte Lahutën e Malcis së Gjergj Fishtes
————————-

Mbeti enigma. Kush janë vrasësit e avokatit, aktivistit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendit dhe dy bijve të tij Kastriotit dhe Kushtrimit ?
Forcat serbe jo rastësisht nuk i rrëmbyen në shtëpinë e tyre në Prishtinë, më 24 mars 1999, natën kur nisi NATO t’i bombardoj caqet serbe.
Trupat e tyre i hedhën pas dy ditësh skaj një pike të karburantit, rrugës që shpie për në Fushë Kosovë.
Ekzekutohet Bajram Kelmendi (1937 – 1999) dhe dy djemtë e tij, asgjë kurrkujt. Hesht Aleksi (Vuçiqi) i Serbisë, heshtin edhe krerët e shtetit tonë !

Ky avokat “par excelence” i doli zot Kosovës. Gjatë luftës vajti në Tribunalin e Hagës. Dorëzoi kallëzimin penal kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, dosjen për krimet barbare ndaj shqiptarëve të Kosovës. I ofroi kësaj gjykate dëshmitë, provat e faktet, për gjenocidin, krimet e luftës.
E mbrojti juridikisht Kosovën.
Si gazetar i kam ndjekur shumë procese gjyqësore, ku ai ishte mbrojtës. Dhe për të, si mik, kam kujtime të këndshme.
Kelmendi e kishte ngritur zërin ndaj dhunës policore serbe më herët. Në zyren e tij, që gjendet mbrapa Teatrit Kombëtar, më 24 nëntor 1994, më jep dy parashtresa (denoncime). Njëra drejtuar kryetarit të Tribunalit të Hagës, Sherif Basioni dhe tjetra – prokurorit ndërkombëtar Richard Goldston. Këto denoncime ishin të nënshkruara nga 11 avokatë, ndër ta profesori i të Drejtës romake, dr. Bardhyl Çaushi.

Atëbotë Kelemndi më tha: Agim merri këto dy parashtresa, ruaj, se nuk i dihet jetës…
Njerëzit patriotizmin e tregojnë në vepër, jo me llafe. Këtë e bëri Kelmendi, në Tribunalin e Hagës.
Pak ditë para se të vritej i mbronte klientët e tij në gjykatat e kontrolluara nga regjimi i Millosheviqit.
Gjatë kohës së luftës shoqërohej me poetin Azem Shkrelin. Rrinte me të në restorantet e Qafës në Prishtinë. Më ka rënë rasti të jem në shoqëri me ta.

Në verën e vitit 1998, pas një procesi gjyqësor në Prishtinë, te Qafa, afër zyres së kolegut të tij Fazli Balajt freskoheshim me pije. Ishin të pranishëm avokatët tjerë – Nikë Lumezi, Destan Rukiqi e Rexhep Haxhimusa. Kelmendi pinte birrë me akull. Thoshte: “Dua të shlodhem pas fjalës përfundimtare në gjykatore”. Për një çast, ai nisi ta citoj Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës. Kolegët e tij shprehën habinë. Ky u tha:
Kur i kam mësuar vargjet e Fishtëës, libri i tij ka qenë i ndaluar andej e këtej kufirit.
Rexhep Haxhimusa më bën një vërejtje. Më thotë: Ti veç Bajramin po e qet në gazetë,,, Unë ia kthej: I nxjerrë në gazetë njerëzit e mençur. Pasi po ke qejf me dal në gazetë, thirre këtë kamarierin, Gazin, na qeras jo nga një, po nga dy birra… Kelmendi e vuri buzën në gaz. Më përshpërit: Mirë ia bane, ky është koprrac, s’paguan…

Më kujtohet procesi, Afera e argjendit, në Mitrovicë, më 1985. Pas një seance, në praninë time, avokati i njohur i Beogradit, autori i librit “Branio sam…”, Velko Guberina i është drejtuar Kelmendit:
“Ta kam zili, ti je avokat më i fortë se unë. Bravo !”.
Disa “komandantë”, të paftyrë, e morën guximin ta shajnë, ta nxjerrin në taborin tjetër. Me horrat kësaj radhe nuk po merrem.
Kelmendi shquhej si mjeshtër i madh i drejtësisë. Shkaktonte tërmetin në gjykatore. “Kirurgët” e procesit, prokurorët dhe gjykatësit i fuste në bri të dhies. I nxirrte në aut. Mbrojtja e tij në gjykatore ishte si në teatër. E bënte për vete publikun. Dhe shpesh ka ndodhur që publiku ti duartrokaste.
Mbrojtja e tij brilante ishte si ajo e mbrojtësit të Alfred Dreyfusit, Fernand Laborit.
Kelmendi e mbrojti në Gjyqin e Prishtinës historianin me nam Ali Hadrin. Prokurorin e çarmatosi… E detyroi ta tërheq aktakuzën.