21:02 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Lladrovci kritikon ashpër sjelljen e opozitës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ditëve të fundit është përballur me kritika e akuza të ndryshme nga opozitarët e Kuvendit Komunal.

E bujë bëri dërgimi i zëvendëspresidentit të Parlamentit Evropian, Rainer Wieland në kishën katolike në Llapushnik.

I pari i Drenasit për Indeksonline ka deklaruar se vizita e tij aty nuk kishte të bënte me aspekte fetare.

Mirëpo, akuzat ndaj tij për këtë i quan mjerim të disa personave që pretendojnë se bëjnë opozitë me gjëra që nuk kanë të bëjnë as me opozitën as me çështje të hoxhës.

“Vizita e z.Wieland, nuk ka të bëj fare me ato që pretendon hoxha. Vizita ishte e konceptuar sipas agjendës në të cilën na nderoi me praninë e tij edhe kryeministri. Të gjithë, opozita në veçanti, e anashkaloi qëndrimin e zv/kryetarit të Parlamentit Evropian në Gjimnazin “Skënderbeu” dhe në Prekaz tek Memoriali i Jasharajve, ku na priti kryetari Bekim Jashari. Vizita nuk kishte të bënte fare me aspektet fetare as harmoninë tonë fetare që disa duan ta kenë pronë vetëm pse kanë çallmë. Krejt këto, i shoh si mjerim të disa personave që pretendojnë të bëjnë opozitë me gjëra që s’kanë të bëjnë me opozitën as çështje të “hoxhës”. Atyre, që duan vizita në xhami, dje, në një shkrim, u kam premtuar se kur të vijnë investitorët dhe personalitetet e botës turke-arabe, do t’i çoj për vizitë së paku në një xhami”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka shtuar se protokolli është zbatuar në përpikëri, mirëpo sipas tij ngjarja u shikua nga aspekte të ndryshme nga ana e mediave, ku opozita u mashtrua nga demagogjia e dikujt tjetër që përcjell agjendat e veta personale.

Në debatin e fundit se pse e dërgoi në kishë zëvendëspresidentin dhe jo në ndonjë xhami, ishte përfshirë edhe imami i Drenasit, Osman Musliu.

Mirëpo, Lladrovci i ishte përgjigjur Xhavit Drenorit, Beqir Kiqinës, Isa Xhemajlajt, Petrit Gashit dhe imamit Osman Musliut përmes një postimi në Facebook se injoranca nuk ka kufi.

“Një përgjigje për të gjithë: Injoranca nuk paska kufi! Mulla rrenci e nisi, opozita mbas tij! Për Kiqinën (AAK), VV, Petritin, Xhavitin, Isën: Një budallë e hedh gurin në bunar, njëqind të mençëm nuk mund e nxjerrin”, pati deklaruar Lladrovci.

Ndryshe, zëvendëspresidenti në Parlamentit Evropian, Rainer Wieland është shpallur qytetar nderi i Drenasit të shtunën./Indeksonline/