10:44 / E Martë, 09 Janar 2018 / indeksADMonline

Minatori që dhuroi mbi 50 litra gjak (Video)

Minatori 63 vjeçar nga fshati Tërstenë i Mitrovicës, Bilall Neziri, baba i 5 fëmijëve i cili jeton në Mitrovicë, ka bërë shumë herë punë fisnike gjatë jetës së tij, duke dhënë një pjesë të vetes për shëndetin e tjetërkujt dhe duke shpëtuar jetë.

Ai me grupin e tij Rh pozitiv, ka dhuruar gjak 148 herë deri tash, ose më shumë se 50 litra, duke u bërë kështu kampion i Kosovës në këtë gjest human, ndërsa edhe ditën kur u vizitua nga KosovaPress, ishte nisur në spitalin e Mitrovicës për një gjë të tillë.Neziri i cili që nga viti 1972 kishte punuar si minator për shtatë vite rresht, ndërsa aktualisht punon në kuzhinën e minierës me flotacion në Stantërg, ka bërë të ditur se dhurimin e gjakut e ka filluar që nga viti 1971, në kohën kur ishte nxënës i shkollës së mesme.Sipas tij, ai ka dhuruar gjak nëpër shumë qytete të Kosovës dhe më gjerë, si në Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, Beograd e deri në Shibenik të Kroacisë, në rastet kur minatorët e aksidentuar ishin të shtrirë nëpër këto spitale dhe jeta e tyre ishte në rrezik.

Mirëpo, vazhdoi Neziri, ai nuk ka ndihmuar vetëm minatorët që i kishte kolegë, por të gjithë ata që kanë pasur nevojë, si të aksidentuarit, lehonat, fëmijët, pleqtë dhe të tjerët, ndërsa thotë se kurrë nuk ka kthyer prapa asnjë person që ka pasur nevojë për gjak.

Duke përmendur disa nga rastet për të cilat dhuroi gjak gjatë jetës së tij, Neziri për këtë humanizëm të veçantë, e kaq të shpeshtë, nuk ka përfituar kurrë asgjë, përpos mirënjohjeve, medaljeve , lëvdatave dhe respektit të madh që gëzon ndër njerëz.Ai ka apeluar tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë dhe që kanë mundësi, të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.

Në anën tjetër, doktoresha Feride Idrizi, shefe e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në spitalin rajonal ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, ka konfirmuar se Bilall Neziri ka ndihmuar shumë herë pacientët në nevojë duke dhuruar gjak.Sipas saj, në Mitrovicë ka shumë dhurues vullnetarë të gjakut, por Neziri shquhet në këtë drejtim.Ajo ka sqaruar se personin e shëndoshë asgjë nuk e dëmton dhurimi i gjakut, përkundrazi e freskon, ripërtërinë gjakun tek ai dhe qarkullimi është më i mirë.