13:18 / E Enjte, 21 Qershor 2018

Ministria ua jep në shfrytëzim veturat 24h zyrtarëve të saj

Ministria për Kthim dhe Komunitete të cilën e drejton ministri nga Lista Serbe, Dalibor Jevtiq, ka bërë një varg shkeljesh gjatë vitit 2017, raporton Indeksonline. Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar se në këtë ministri ka pasur keqpërdorim të veturave zyrtare, mbulim i pozitave me ushtrues detyre në kundërshtim me udhëzime administrative, mangësi në procedimin e pagesave e tjera çështje.

Në nenin 3 të udhëzimit administrativ për përdorim të veturave zyrtare thuhet se “në raste të caktuara, nëpunësve të caktuar, për shkak të specifikave të posaçme të punës, me vendim të ministrit, mund t’u lejohet përdorimi i automjeteve zyrtare edhe jashtë orarit zyrtar të punës me propozim të sekretarit të përhershëm”.

Mirëpo, nuk lejohet të përdorën jashtë këtij udhëzimi. Pesë zyrtarë të MKK-së me vendim të ministrit i shfrytëzojnë veturat 24h pa pasur punë specifike zyrtare, shkruan Indeksonline.

Ky keqpërdorim i veturave, mund të dëmtoj buxhetin e ministrisë, ku auditori rekomandon që ministri duhet të rishikojë vendimet për lejimin e shfrytëzimit 24h të automjeteve zyrtare nga stafi i ministrisë dhe ato të lejohen vetëm në raste specifike siç e parasheh udhëzimi.

Po ashtu, në këtë ministri dy pozita punë janë me ushtrues detyre më gjatë se tre muaj.

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm vazhdon të mbulohet me ushtrues detyre që nga viti 2013 si dhe pozita e Drejtorit te Departamentit për Politika dhe Analiza që vazhdon të mbulohet me ushtrues detyre nga viti 2014.

“Mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë, rrit rrezikun e mos arritjes se objektivave dhe performanca/përgjegjësia e realizuar në këto pozita të mos jetë në nivelin e duhur”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përveç kësaj, kjo ministri ka shënuar mangësi në menaxhimin e subvencioneve.

Me 28.03.2017, MKK kishte nënshkruar një marrëveshje me OJQ ‘Future Without Fear’ në vlerë 9,980€, për realizimin e projektit “Barazia Gjinore në Shtërpcë”.
Ky projekt është paraparë të përfundoj brenda 5 muajve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.

Po ashtu, në pagesën 14,700€ që ndërlidhet me subvencionimin me dru për nevoja të komunitetit, auditori identifikoi se ishin paguar 395.9 m³ ndërsa janë pranuar 388 m³ dru dhe shndërruar në vlerë financiare kemi një gabim financiar për 293€ (7.9m³*37.13€).

Në vitin 2017, MKK ka shpenzuar 98.6% të buxhetit final ose 4,566,688€, me një rritje prej 7.6% krahasuar me vitin 2016./Indeksonline/