10:10 / E Hënë, 09 Prill 2018 / indeksADMonline

Mourinho zbulon gabimin e Guardiolas në derbin e Manchesterit

Jose Mourinho la të nënkuptonte se Pep Guardiola bëri një gabim, duke diskutuar për Paul Pogba para derbit të Manchesterit. Sipas portugezit, kjo gjë e frymëzoi në maksimum mesfushorin francez, i cili ishte çelësi i përmbysjes mahnitëse 3-2 të “Djajve të Kuq” ndaj kampionëve në pritje të kuorës, në Premier League.

Dy gola në hapësirën e 97 sekondave të Pogba, në fillim të pjesës së dytë, barazuan avantazhin e dyfishtë të “qytetarëve”, duke zhvleftësuar golat e Vincent Kompany dhe Ilkay Gundogan dhe rezultatin 2-0 të pjesës së parë. Dëmi do të kishte qenë më i madh, nëse Raheem Sterling nuk do të shpërdoronte dy shanse të arta, por humbja erdhi nga Chris Smalling, në minutën e 69-të.

Kësisoji, edhe festa e titullit kampion u shty për të besuarit e Pep Guardiolës. Ky i fundit, në mënyrë sensitive pretendoi se agjenti i Pogba, Mino Raiola, ia kishte afruar klientin e tij në janar, një perspektivë që dukej e mrekullueshme, pasi 25-vjeçari udhëhoqi festimet e zjarrta në terren të Manchester United, të shtunën.

“Unë shpesh bëj gabime, – u tha Mourinho gazetarëve, kur u pyet nëse Guardiola kishte gabuar, duke e rrëfyer episodin në një konferencë shtypi para ndeshjes. – Nuk është problem, as nuk mendoj për këtë. Është normale që nganjëherë vihemi në ndonjë kontakt të vogël me njëri-tjetrin, por nuk isha i shqetësuar për këtë.

Nuk u mërzita dhe nuk fola fare me Paul për këtë. Unë nuk e telefonova Mino për ta pyetur, fare, u përqendrova vetëm te loja. Mendoj se edhe Pogba veproi njëlloj, sepse mënyra si luajti ishte e mundur vetëm nëse ai ishte i përqendruar në lojë”.