17:21 / E Mërkurë, 19 Shtator 2018 / indeksADMonline

MPMS e angazhuar në aftësimin profesional të të rinjve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka pritur sot në takim një delegacion nga Britania e Madhe, të udhëhequr nga Jeremy Lefroy, deputet në parlamentin britanik, me të cilin ka diskutuar rreth punësimit të të rinjve në Kosovë, sfidave dhe angazhimit të MPMS-së për rritje të punësimit, posaçërisht në mesin e të rinjve dhe grave.

“E njoftova rreth strategjive dhe angazhimit të MPMS-së në këtë drejtim, ku theksova se përkushtimi ynë mbetet aftësimi profesional i të rinjve dhe orientimi në karrierë në përputhje me nevojat e tregut të punës, atij vendor dhe ndërkombëtarë, për çka po planifikojmë edhe hartimin e një plani nacional, së bashku me partnerët tanë”, ka shkruar Reçica në profilin e tij në Facebook.

Nga Lefroy, ministri ka marr premtime për mbështetje dhe bashkëpunim sa i përket projekteve që kanë qëllim punësimin e të rinjve në vend ku u dakorduan për koordinim të hapave të mëtutjeshëm./Indeksonline/