22:29 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ndryshimi i marrëveshjes së Demarkacionit, flasin krerët e komisionit

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë votuar për ndryshimin e projektligjit për Demarkacionin me Malin e Zi. Në Projektligjin me ndryshime është përfshirë marrëveshja e gushtit në vitin 2015 mes Kosovës dhe Malit të Zi, marrëveshja e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe i gjithë materiali i Komisioneve Shtetëror për orientim.

Mirëpo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tani thotë se nga Komisioni për Punë të Jashtme është bërë një ndryshim i marrëveshjes që është arritur ditë më parë mes partive politike AAK- PDK- LDK- Nisma.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk e thotë edhe kryesuesja e këtij komisioni Vjosa Osmani.

Në një prononcim për Indeksonline, ajo ka thënë se komisioni nuk ka bërë kurrfarë ndryshimi, vetëm se ka votuar marrëveshjen e njëjtë të propozuar sot në seancën e Kuvendit, nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

“Siç e dini, ky ndryshim është kërkuar në seancë si rezultat i marrëveshjes së arritur para pak ditësh, dhe ashtu siç është propozuar dhe lexuar nga Avdullah Hoti në seancë në emër të LDK-së, ashtu edhe është proceduar në komision. Pra, amendamenti i miratuar në komision është identik me atë të propozuar në seancë. Pikërisht ky tekst na është dhënë nga propozuesi meqë ky është teksti që është lexuar në seancë. Komisioni nuk ka ndryshuar asgjë”, ka thënë Osmani.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes tjetër, që AAK thotë se ka qenë marrëveshja që janë dakorduar me partitë politike, ajo ka sqaruar se në tavolinë kanë pasur marrëveshjen e propozuar sot nga Kuvendi.

“Ky tekst ka dalë në votim dhe u votua njëzëri në komision. Neve na është dorëzuar vetëm një propozim zyrtarisht, pra ai që u lexua në seancën e sotme dhe na u dha i njëjti propozim me shkrim”, ka sqaruar më tej ajo.

Ndërsa, nënkryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj nga AAK, për Indeksonline ka thënë se sot në komision ajo dhe anëtarët e tjerë kanë votuar marrëveshjen e arritur ditë më parë mes partive dhe jo atë që tani është prezantuar.

Sipas saj marrëveshjet e tjera janë shtrembërim i së vërtetës.

Ndërsa, thotë se ata nuk kanë analizuar ndonjë marrëveshje tjetër në komision.

“Kjo është ajo çka ne kemi votuar (Foto 1). Marrëveshje tjera janë shtrembërim i së vërtetës dhe ne se pranojmë këtë. Ky raport nuk do të jetë valid derisa nuk e analizojnë edhe anëtarët e tjerë të komisionit, ekziston një marrëveshje dhe ajo duhet të respektohet. AAK se pranon asnjë ndryshim nga ajo që është arritur”, ka thënë Kadrijaj./Indeksonline/

 

1.Marrëveshja e paraparë për t’u hedhur në votim 

2.Marrëveshja që është rekomanduar sot nga Kuvendi dhe është miratuar nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë