16:14 / E Premte, 26 Prill 2024 / FR

Prokuroria ndalon për 48-orë të dyshuarin për plagosje në Dragash

Gjatë ditës së sotme është arrestuar një person në Dragash, pasi i njëjti dyshohet se ka plagosur me armë zjarri ish-vjehrrin e tij.

Indekonline ka mësuar se viktimë është Kadri Qusaj, ndërsa i arrestuari është Omer Muhameti, ish-dhëndëri i tij.

Në lidhje me këtë rast Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndalur në kohëzgjatje prej 48-orëve, të dyshuarin O.M., nga fshati Brodosanë – Komuna e Dragashit.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik, se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orëve, të dyshuarin O.M., nga fshati Brodosanë – Komuna e Dragashit, për shkak të dyshimit  se i njëjti ka gjuajtur me armë zjarri dhe ka plagosur të dëmtuarin K.Q., (ish – vjehrrin e tij) në Dragash, pas një mosmarrëveshje paraprake rreth procesit të divorcit në mes vajzës së tij dhe të dyshuarit.

I dyshuari O.M., dyshohet për veprat penale “Tentim vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj të dyshuarit O.M., brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim./Indeksonline/