08:29 / E Diele, 10 Qershor 2018 / indeksADMonline

Në nderim të Vokrrit, flamuri i Kosovës në gjysmështizë në Berlin [Foto]

Ambasada e Kosovës në Gjermani në nderim të legjendës së futbollit në Kosovë, Fadil Vokrri ka vendosur flamurin e shtetit të Kosovës në Gjysmështizë në kryeqytetin gjerman si dhe disa qytete tjera.

Kjo është bërë e ditur nga ambasada e Kosovës në Berlin përmes një njoftimi për media, transmeton Indeksonline.

Flamuri është vendosur në qytetin e Berlinit. Ambasada ka publikuar edhe disa fotografi për këtë. Pos  në kryeqytetin e Gjermanisë po ashtu edhe në misionet Diplomatike të këtij shteti në Munih, Stuttgart dhe Frankfurt flamuri i Kosovës është ulur në gjysmështizë në kujtim të Fadil Vokrrit.

Me këtë rast, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj, në profilin e tij në Twitter mes tjerash ka shkruar për Fadil Vokrrin:

“…Një njeri i madh i sportit, një njeri i madh i Kosovës, la tokën për të shkuar në Amshim dhe Përjetësi. Pusho i qetë #FadilVokrri”, ka shkruar Cufaj.

Ndryshe, varrimi i Fadil Vokrrit do të bëhet sot në orën 17:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës, konkretisht në Dragodan.

Duhet theksuar se sot në Kosovë është ditë zie për nder të Fadil Vokrrit për veprat që i la pas./Indeksonline/