15:25 / E Shtunë, 30 Qershor 2018 / indeksADMonline

Një delegacion ndërinstitucional nga Kosova vizitoi Panamanë

Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Panama, një delegacion ndërinstitucional nga Republika e Kosovës në përbërje të Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe nga Policia e Kosovës qëndruan në një vizitë katër ditore në Panama ku zhvilluan një sërë takimesh në kuadër të diplomacisë parlamentare me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Gjatë qëndrimit në Panama, delegacioni i Kosovës zhvilloi takime të shumta me institucionet në Panama si dhe me ambasadorë të akredituar në Panama nga vende të ndryshme të këtij rajoni.

Delegacioni i Kosovës në përbërje të Rexhep Selimit, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, kryesues i delegacionit, z. Veton Elshani, drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit në Policinë e Kosovës, z. Artan Duraku, drejtor i Departamentit për Planifikim të Politikave në MPJ si dhe z. Dardan Kocani, drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MPB, u takuan me Presidentin e Parlamentit të Amerikës Latine – Parlatino me seli në Panama, z. Elias Castillo, në cilësinë e tij edhe si bashkëkryesues edhe i Asamblesë Parlamentare EUROLAT. Duke qenë edhe pjesë e grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Panama, deputeti Castillo shprehu interesimin për të thelluar bashkëpunimin në saj të diplomacisë parlamentare dhe për të vizituar Kosovën për t’u njohur nga afër me zhvillimet në vend.

Delegacioni i Kosovës takoi edhe zëvendësministren e ngarkuar për Punë të Jashtme të Panamasë, znj. Farah Diva Urrutia, e cila iu shprehu mirëseardhje delegacionit të Kosovës në Panama, duke siguruar se Panamaja qysh nga njohja e Kosovës si shtet i pavarur, e ka mbështetur dhe përkrahur Kosovën në çdo iniciativë, gjë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, deputeti Rexhep Selimi e falënderoi zëvendësministren Urrutia për përkrahjen që Panamaja ka dhënë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e tutje.

Delegacioni i Kosovës vizitoi Ministrinë e Sigurisë Publike të Panamasë, ku u pritën nga zëvendësministri i kësaj ministrie, z. Jonattan Del Rosario, me të cilin u bisedua në detaje për formalizimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë në mes të dy vendeve. Nga takimi u dakorduan për shtimin e vizitave të ndërsjella në nivele të ndryshme duke thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave të interesit të përbashkët.

Deputeti Selimi tha se kjo është vizita e parë e punës që po i bëhet Panamasë në kuadër të vizitave në fushën e diplomacisë parlamentare, përmes së cilës mëtohet fuqizimi i mëtejmë i marrëdhënieve dhe shkëmbimeve bilaterale, duke fuqizuar kështu pozitën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në Panama, vend ky mik të Kosovës, anëtarë të delegacionit takuan Prokurorin e Lartë për Çështje Ndërkombëtare të Panamasë, z. Jose Antonio Candanedo Chiam dhe drejtorin e Policisë së Panamasë Z. Alonso Vega Pino me të cilët u diskutuan forma konkrete të bashkëpunimit në fushën zbatimit të ligjit.

Delegacioni në krye me deputetin Selimi takoi edhe Arqipeshkvin e Panamasë, Mons. Jose Domingo Ulloa, si dhe me ambasadorët e Republikës Dominikane, Haitit, Hondurasit, Emirateve të Bashkuara Arabe. Vizitën e përfunduan me një vizitë Kanalit të Panamasë, ku u pritën nga Administratori i Kanalit, Jorge Luis Quijano.