20:24 / E Enjte, 18 Janar 2018 / indeksADMonline

Njoftimi zyrtar nga takimi i katërt i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë

Anëtarët e Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Kosovës u takuan në Strasburg më 17-18 janar 2018 për takimin e katërt të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, nën kryesimin e përbashkët të z. Tonino Picula (EPP, HR) dhe z. Memli Krasniqi (PDK, Kosovë).

Në takim u përmend edhe vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq në Mitrovicën e Veriut më 16 janar 2018. Anëtarët e KPSA-se shprehën ngushëllimet për familjen e z. Ivanoviq dhe ranë dakord që nevojitet një hetim i shpejtë dhe efikas, i cili në fund do të sjellë autorët para drejtësisë.

Parlamentarët mbajtën diskutime të thella dhe të frytshme mbi një numër çështjesh të rëndësishme, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE- Kosovë, dhe për zhvillimet në ekonominë e Kosovës, ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sundimin e ligjit, zhvillimin e zgjedhjeve të fundit, krimet e luftës dhe rrugën drejt pajtimit, u diskutua për liritë themelore, luftën kundër dhunës në familje dhe mbrojtjen e pakicave.

Bashkëkryesuesit shprehën keqardhje që asnjë deklaratë e përbashkët dhe rekomandime nuk patën mundësi që të miratohen për shkak të mungesës së marrëveshjes për çështjen e Dhomave të Specializuara dhe nismën e fundit të Kuvendit të Kosovës në këtë drejtim. Megjithatë, ata shprehën shpresën se kjo pikë e mosmarrëveshjes do të zgjidhet në javët dhe muajt e ardhshëm dhe nuk do të ketë ndikim të mëtejshëm në marrëdhëniet tejet të mira midis dy parlamenteve.

Bashkëkryesuesit gjithashtu vunë në dukje se viti 2018 mund të ofrojë një mundësi tejet të çmuar për marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovën në veçanti, dhe shprehën angazhimin e tyre për të punuar drejt përdorimit më të mirë të kësaj mundësi nga të dyja palët.

Takimi i pestë i KPSA-së BE-Kosovë do të mbahet në gjysmën e dytë të vitit 2018 në Kosovë.

Temat: