20:41 / E Hënë, 20 Gusht 2018 / indeksADMonline

Omarosa: Donald Trump u përpoq të blinte heshtjen time

Omarosa Manigault Newman, ish-këshilltare e Presidentit Trump, ka qenë së fundmi në vëmendjen e publikut për shkak të incizimeve të bëra në mënyrë të fshehtë të bisedave të saj me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë dhe vetë Presidentin. Skandali ka nxjerrë në dritë një fakt të panjohur më parë, atë që administrata Trump u kërkon anëtarëve të stafit të nënshkruajnë marrëveshje për ruajtjen e konfidencialitetit, diçka pothuajse e padëgjuar gjatë administratave të mëparshme.

Kjo mund të jetë ajo së cilës i druhej administrata Trump, një ish-punonjëse që flet keq për Shtëpinë e Bardhë, sikurse po bën ish-këshilltarja Omarosa Manigault Newman për të reklamuar librin e saj.

Ajo ka publikuar disa incizime audio të bëra në mënyrë të fshehtë, duke pohuar se njëra prej tyre është prova se Trump donte që t’i mbyllte gojën, pas shkarkimit të saj.

Ish-ylli i një programi televiziv po i bën reklamë librit të saj të ri me titullin “Unhinged”, në të cilit bën një sërë pohimesh të debatueshme, përfshirë dhe atë se disponon një kasetë, ku Trump dëgjohet duke përdorur gjuhë raciste.

Zyrtarët e fushatës së Trump e kanë paditur zonjën Manigault Newman në arbitrazh, duke e akuzuar për shkelje të një marrëveshjeje të vitit të 2016 për ruajtjen e konfidencialitetit.

Sipas tyre marrëveshja e ndalon atë të flasë keq për Trump apo për gjithçka, për të cilën ka qenë dëshmitare në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk u befasova! Në fakt, Donald Trumpi mburret me përdorimin e proceseve gjyqësore si mjet për të trembur njerëzit. Ai po përpiqet të më mbyllë gojën, ai ka frikë nga ajo që unë mund them dhe kjo është arsyeja pse i shihni këto veprime nga Donald Trumpi”, thotë Omarosa Manigault Newman ish-ndihmëse në Shtëpinë e Bardhë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders refuzoi të konfirmojë nëse administrata Trump u kërkon anëtarëve të stafit të nënshkruajë marrëveshje për ruajtjen e konfidecialitetit.

“Nuk dua t’i hyj sqarimit lidhur me atë se kush ka nënshkruar marrëveshje të tilla në Shtëpinë e Bardhë. Mund t’ju them se në shumë vende është e zakonshme që punonjësit t’i nënshkruajnë ato, përfshirë edhe në qeveri, veçanërisht ata që kanë certifikata sigurie”.

Marrëveshjet për ruajtjen e konfidencialitetit zakonisht përdoren në botën e biznesit për të mbrojtur interesat e korporatave. Por zakonisht nuk aplikohet për ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë, përveç atyre që trajtojnë informacion të klasifikuar lidhur me sigurinë kombëtare.

“Nuk mund të parandalosh ish-punonjës të qeverisë që të nxjerrin informacione jo të klasifikuara, pa shkelur Amendamentin e Parë”, thotë ekspertja Lata Nott.

Shumica e studiuesve ligjorë pajtohen me atë se një marrëveshje konfidencialiteti mes Shtëpisë së Bardhë dhe një ish-punonjësi, mund të jetë diçka që nuk e imponon dot me ligj.

Por analistët ndahen nëse është e ligjshme apo jo që fushata Trump, konsideruar si entitet privat, të mund të detyrojë zbatimin e saj.