20:25 / E Martë, 17 Korrik 2018 / indeksADMonline

Opozita kundër takimit të nesërm në Bruksel

Vizita e nesërme në Bruksel mes liderëve të shtetit të Kosovës dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, po shihet nga opozita si takim i aranzhuar për konsum të brendshëm.

Kështu të paktën është shprehur deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj.

Edhe pas deklaratave të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj se të mërkurën pritet rekomandimi pozitiv për vizat, Zemaj në një deklarim për Indeksonline ka thënë se edhe përfaqësuesit e BE-së kanë treguar haptas se Qeveria nuk është treguar serioze në avancimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

“Shihet se është vizitë e aranzhuar për konsum të brendshëm. Kjo shihet nga formati që është paraqitur, me individ që kanë përfaqësuar divergjenca mes tyre dhe tendenca për të mbuluar interesin e denjë të përfaqësimit që ka nevojë vendi dhe ajo që tash dihet qartë se dëshirojnë ta krijojnë bindjen se kjo nomenklaturë qeveritare mund të qëndrojë në pushtet. Kjo dëshmohet edhe nga takimet dhe vizitat e përfaqësuesve të BE-së të cilët kanë treguar haptas se kjo qeveri nuk ka qenë e vëmendshme dhe serioze për të avancuar statusin e Kosovës në raport me integrimet evropiane dhe fuqizimin e bindjes se qytetarët tanë mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kjo është pasqyra e vërtetë dhe këto i kemi theksuar në vazhdimësi si opozitë por edhe mendimet dhe vërejtjet e vazhdueshme që kanë ardhur edhe nga shoqëria civile, mediat duke pasqyruar skandalet e vazhdueshme të keqpërdorimit të parasë publike, ndikimit politik në sistemin e drejtësisë dhe angazhimin për të politizuar pothuajse çdo institucione që janë të pavarura si kategori kushtetuese”, ka thënë ai.

Ndërsa, Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit ka theksuar se kompromiset e deritanishme që i ka bërë Kosova, duhet të jenë çmimi i fundit që qytetarët e paguajnë për lëvizjen e lirë.

“Kosova deri më tani ka dhënë shumë, tepër shumë. Kompromiset e bëra deri më tani, të padrejta gjithsesi, janë çmimi i fundit që qytetarët e Kosovës guxojnë të paguajnë për një të drejtë e cila do të duhej të ishte e pakontestueshme, siç është kjo e lirisë së lëvizjes. Ne si PSD jemi duke e përcjellë me vëmendje sesi po zhvillohet ky proces. Situata është ende shumë e paqartë. Sido që të ndodhë, ne vazhdojmë të përkushtuar në realizimin e të drejtës së qytetarëve të Kosovës për liri të lëvizjes”, ka thënë për Indeksonline Teutë Rrusta, anëtare e Kryesisë së PSD-së.

Kujtojmë se sot për në Bruksel do të udhëtojë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli si dhe ministri për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi./Indeksonline/