19:12 / E Premte, 08 Qershor 2018 / indeksADMonline

Pas arrestimit të Frashër Osekut, vije reagimi i Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për arrestimin e veteranit të luftës çlirimtare, Frashër Osekut, i cilit më herët e kishte vendosur flamurin e shtetit të Kosovës në WC dhe e kishte postuar në rrjetet sociale, gjë që ishte bërë lajm.

Lidhur me këtë, VV ka thënë se nuk mbrohen simbolet e imponuara duke burgosur ata që kanë luftuar për lirinë, transmeton ‘Indeksonline’.

Reagimi i Vetëvendosjes:

Morëm vesh nga mediat se është arrestuar duke hyrë në Kosovë veterani i luftës çlirimtare, Frashër Oseku. Z. Oseku ka qenë në kufirin e Hanit të Elezit duke u kthyer në atdhe prej Suedisë ku jeton në mërgatë, bashkë me familjen e tij.

Policia nuk ia ka bërë me dije se përse e kanë arrestuar, dhe kanë refuzuar të identifikohen me emër ose numër personal edhe pse ky i është kërkuar nga familjarët e z. Oseku.

Cilado që të jetë arsyeja e arrestimit të z. Oseku, policia nuk ka të drejtë të sillet në mënyrë arbitrare, duke mos e treguar arsyen dhe duke mos u identifikuar. Për më tepër që z. Oseku ka ofruar bashkëpunim me policinë, duke thënë se do të paraqitej vetë në stacion, posa të përcillte fëmijët deri në shtëpi.

Frashër Oseku ka kontribuar në luftën çlirimtare si vullnetar i ardhur nga mërgata, e ai është plagosur rëndë në luftën që e çliroi Kosovën. Ky trajtim i veteranit dhe invalidit të luftës është i padenjë, dhe nuk i bën nder as policisë e as qeverisë së Kosovës. Nuk mbrohen simbolet e imponuara duke burgosur ata që kanë luftuar për lirinë”, ka shkruar ky subjekt politik./Indeksonline/