20:41 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Përgjegjësi e Unionit Evropian që nuk është e barabartë në rrethin e miqve të Kosovës

Nga Lukas Mandl

Në dhjetë vjet, dëshiroj që Republika e Kosovës të njihet nga çdo shtet i botës dhe të jetë anëtare e UE-së, NATO-s dhe OKB-së – kjo ishte dëshira për ditëlindje e saj, e shprehur nga një mysafir i rangut të lartë: përkatësisht nga kongresmeni amerikan Eliot Engel. Ai mbajti një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 10 vjetorin e Pavarësisë. Në emër të UE-së nuk mbajti askush një fjalim.

Përfaqësuesi i SHBA-ve nuk kurseu as lëvdatat e as thirrjet për veprime. Ai falënderoi qytetarët e shtetit më të ri të Evropës për atë që është arritur gjatë dhjetë këtyre viteve që po lëmë pas. Megjithatë, Engel e bëri të qartë kërkesën për punën efektive në luftën kundër korrupsionit dhe në fusha të tjera.

Në festimet për nder të dhjetëvjetorit të krijimit të shtetit ishin prezent delegacione nga 61 shtete të ndryshme të botës. Republika e Kosovës zyrtarisht është e njohur nga 116 shtete, me një trend rritës. Gjithashtu, disa shtete edhe pse nuk e njohin ende Kosovën, mbajnë raporte me këtë shtet, për të cilin ndoshta më shumë se 2.5 milion njerëz janë të lidhur, nga të cilët 1.8 milion jetojnë në këtë territor që është i madh sa Austria e Epërme (Öberösterreich). Diaspora kosovare dërgon shumë para familjarëve në atdheun e tyre. Nga 0.8 deri në 1.6 miliardë euro, të cilat brenda vitit dërgohen në Kosovë, përbëjnë një mbështetje të domosdoshme ekonomike për shtetin me popullsinë më të re.

Në pritjen ceremoniale për delegacionet foli vetëm një i huaj: Robert Story Karem, përfaqësues i lartë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve. Edhe ai uroi gjithashtu për të arriturat. Më shumë se Engel, Karem ia kujtoi elitës politike të mbledhur se çfarë pune i pret përpara: institucionet politike duhet përforcuar, ekonomia duhet të rritet, siguria duhet të jetë prioritet, viktimave nga veprimet e papërgjegjshme në kohë lufte duhet t’iu kthehet drejtësia, dialogu me Serbinë s’ka alternativë tjetër dhe qëllimi është normalizimi i raporteve me fqiun e madh. Varet nga Republika e Kosovës vazhdimi i rrugës perëndimore demokratike. (Funksionimi i demokracisë në Kosovë nuk është vënë në dyshim. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e misioneve ndërkombëtar të zgjedhjeve).

Pesë vende të UE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën

Gjithashtu, në ceremoninë festive zyrtare nuk ishte në agjendë asnjë fjalim i një përfaqësuesi të UE-së. UE-ja tani për tani jep më së shumti mbështetje financiare për shtetin e ri (1.48 miliardë euro nga fondet e UE-së vijojnë në periudhën 13 vjeçare deri në vitin 2020, plus huat nga Banka Evropiane e Investimeve dhe fondet për gjithë Ballkanin Perëndimor). Marrëdhëniet e forta midis shteteve anëtare të UE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor janë në interes të stabilitetit të qëndrueshëm të Evropës, në interesin gjeostrategjik të UE-së dhe në interesat ekonomike të Austrisë në veçanti, ku janë bërë shumë investime në Ballkanin Perëndimor.

Fakti që UE-ja nuk është e barabartë me SHBA-të në rrethin e miqve të Kosovës, nuk është përgjegjësi e Kosovës apo e SHBA-së, por e UE-së. Tek ne në Evropë përzihen në koncertin konstruktiv të dizajnimit të së ardhmes për Evropën Juglindore gjithnjë zëra jo të unifikuar: Pesë shtetet e UE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, megjithëse për arsye të brendshme. Investitorët austriakë gjithashtu ankohen se përdorimi i fondeve të UE-së për Evropën Juglindore është shumë i komplikuar. (Këtë e dimë ne gjithashtu brenda BE-së).

Besimi në shtetin tuaj ende duhet të rritet

Paqja në Ballkan po mbizotëron. Demokracia është në zhvillim të mirë. Liria po rritet. Qytetarët e Kosovës po tregojnë durim të madh në ndërtimin e shtetit të tyre. Besimi në republikën e tyre, në sovranitetin e tyre duhet ende të rritet. Kështu që ata mund të përgatiten kundër nacionalizmit dhe popullzimit. Sundimi i ligjit duhet thelluar dhe korrupsioni duhet të luftohet tutje. Kjo gjithashtu do të sjellë investime dhe do të krijojë vende pune. Amerikanët në festimet e Republikës nuk ishin të tërhequr nga kërkesat e qarta.

Kërkesat e UE-së janë pothuajse identike. Por, SHBA-të flasin me një gjuhë të vetme dhe ndjekin një vijë të qartë. Kaq larg UE-ja ende nuk është në gjendje. Megjithatë, strategjia e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e paraqitur në fillim të shkurtit dhe kryesisht duke mbajtur vulën e Komisionerit të Zgjerimit të BE Johannes Hahn, është një hap në drejtimin e duhur.

Rreth festimeve një vendim i rëndësishëm në parlamentin e Kosovës duket se është i arritshëm. Bëhet fjalë për demarkacionin me Malin e Zi. Ky sqarim dypalësh është – përveç funksionimit të gjykatave – kushti i fundit i mbetur i UE-së, që kosovarët të marrin atë që qytetarët e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor tashmë kanë: liberalizimin e vizave – e drejta për të udhëtuar në UE maksimalisht për tre muaj. Nëse njeriu e ka parasysh se një e treta e kosovarëve nuk jetojnë në Kosovë dhe sa i varur është një vend i vogël kontinental nga tregtia e jashtme, mund ta merrni me mend se sa e rëndësishme është lëvizja pa viza.

Vendimi ende nuk është arritur në Parlamentin e Kosovës. Ashtu sikurse kriteri i demarkacionit që nuk ka të bëjë fare me vetë çështjen, mungesa e shumicës së nevojshme në Parlament duket se ka të bëjë me rastin në vetvete. Vendimi shumë i nevojshëm ndoshta dështon për shkak të lojërave politike (e cila nuk është tipar specifik i Kosovës, pasi që të tilla raste ndodhin në të gjitha vendet e botës). Sapo të ketë përfunduar demarkacioni, Këshilli i Ministrave të Brendshëm do të hapë “tenxhere me presion” dhe do të realizojë lëvizjen pa viza.

Fakti që UE-ja nuk është e barabartë me SHBA-të në rrethin e miqve të Kosovës, nuk është përgjegjësi e Kosovës apo e SHBA-së, por e UE-së.

 

Lukas Mandl është deputet në Parlamentin Evropian nga radhët e Partisë Popullore Austriake (ÖVP). Është anëtar i komisionit të PE për Kosovën dhe Bosnjën, si dhe president i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë.  

 

Marrë nga gazeta ditore vjeneze “Wiener Zeitung”