16:50 / E Shtunë, 05 Maj 2018 / indeksADMonline

Policia jep detaje të aksidentit ku mbetën të lënduar 31 persona

Në rrugën Istog -Pejë, gjegjësisht në fshatin Jabllanicë e vogël ne vendin e quajtur ”Dydesh”, ka ndodhur aksident trafiku ku të lënduar janë tridhjetë e një (31) persona.

“Në këtë aksident ishte i përfshirë një (1)minibus i tipit Iveco me targa të regjistrimit vendor. Të lënduarit e këtij aksidenti janë shtetas të Kosovës, të gjithë janë duke u trajtuar në spitalin rajonal në Pejë, ku sipas ekipit mjekësor të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë rajonale të Pejës.

Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili i ka vizituar të lënduarit e aksidentit.

“Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i minibusit i cili ishte duke qarkulluar nga Istogu në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Jabllanicë e vogël në vendin e quajtur ”Dydesh”, duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë për një moment humb kontrollin mbi automjet dhe godet një pemë në anën e kundërt të rrugës”, thuhet në fund të komunikatës së Policisë së Kosovës.

Rasti procedohet nga Njësia e hetimeve të aksidenteve NJRKRR- DRP Pejë. /Indeksonline/