23:13 / E Hënë, 13 Gusht 2018 / indeksADMonline

Policia me urdhër të Prokurorisë ndalon 6 persona për 24 orë

(I plotësuar 23:22) – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar informatën nga policia se gjashtë persona të dyshuar janë shoqëruar për në stacionin policor në kryeqytet.

Në një prononcim për “Indeksonline” Kryeprokurori i Themelores, Imer Beka ka treguar se tre prej tyre janë të mitur ndërsa tre të tjerë të moshës madhore.

Ai ka shtuar se të njëjtit janë tifoz të cilët janë arrestuar nën dyshimin se kanë hedhur mjete piroteknike/fishekzjarrë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Më tutje, me urdhër të prokurorit kompetent personat e dyshuar do të ndalohen për 24 orë./Indeksonline/


Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, disa të dyshuar janë shoqëruar për në stacionin policor të kryeqytetit.

Zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani për “Indeksonline” ka thënë se disa tifoz dyshohet se kanë hedhur mjete piroteknike/ fishek zjarre e të tjera në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren sipas procedurave të parapara ligjore”, ka thënë Kelani për Indeksonline.

Ndërkaq, për këtë rast vlen të theksohet se ende nuk është njoftuar prokurori kujdestar. Megjithatë, pas kryerjes së procedurave ligjore pritet që të shqiptohet ndonjë masë për të dyshuarit në fjalë apo të njëjtit të lirohen.

Ndryshe, Drita ka arritur që të fitojë Superkupën në futboll ndaj Prishtinës me rezultat 2-1./Indeksonline/