16:18 / E Enjte, 19 Tetor 2017 / indeksADMonline

Policia plagos hajnin në Prishtinë

Policia e Kosovës ka plagosur një të dyshuar, i cili është zënë në flagrancë duke vjedhur në lagjen “Dardania” në kryeqytet.  I dyshuari, sipas policisë, në tentim për të ikur nga vendi i ngjarjes rreth orës 3 të mëngjesit, ka goditur me veturën e tij 3 pjesëtarë të policisë së Kosovës.

“Zyrtarët policorë, duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre, domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Pos policëve, i dyshuari ka goditur edhe veturën zyrtare të policisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“A. Sogojeva, 28 vjeç, shtetas i Kosovës, ka marrë lëndime trupore për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore në QKUK, dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia.  Në komunikatën e policisë bëhet e ditur se edhe policët e lënduar, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.