10:09 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Policia shton masat e sigurisë në prag të shënimit të përvjetorit të pavarësisë

Të shtunën Kosova shënon dhjetë vjetorin e Pavarësisë së vendit. Për shënimin e kësaj dite Kosova do të mirëpres delegacione të shumta nga mbarë bota, shkruan Indeksonline.

Me shtimin e numrit të vizitorëve, Policia e Kosovës ka marrë vendim që të kujdeset më tepër për sigurinë.

Për këtë ditë, zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha ka thënë për Indeksonline se qëllimi i policisë është mbajtja e rendit, shtimi i masave të sigurisë dhe ofrimi i sigurisë së shtuar.

“Me rastin e shënimit të vitit jubilar, 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka ndërmarr masa të nevojshme planifikuese operative dhe preventive duke hartuar një plan të veçantë operativ për të siguruar që mbarëvajtja e evenimenteve manifestuese të kalojë pa ndonjë incident duke ju mundësuar qytetarëve të Republikës së Kosovës që të festojnë ditën e pavarësisë së vendit”, ka thënë Hoxha.

Qëllimi i planifikimeve operative policore përmes këtij urdhri të veçantë operativ është: Mbajtja e rendit, qetësisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.

Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike në vend.

Ofrimi i sigurisë së shtuar, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme të organizuara nga Institucionet shtetërore.

“Ngritja e nivelit të përgjegjësisë policore në monitorim, reagim dhe veprime konform zhvillimit të situatës për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve kudo dhe kurdo gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese në gjithë vendin, etj”, ka thënë Hoxha.

Me rastin e jubileut të parë këtë vit është marrë vendim që të ketë dhjetë ditë festë./Indeksonline/