11:44 / E Shtunë, 19 Maj 2018 / indeksADMonline

Presidenti Meta iu jep mbështetje fëmijëve jetim

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në në kuadër të 20 majit, “Dita Kombëtare e Jetimëve” ka pritur fëmijë dhe të rinj jetimë, duke ritheksuar se prioritet i tij që nga ardhja në krye të shtetit ka qenë kujdesi ndaj fëmijëve jetimë.

Fëmijët me vete kishin marrë sjellë edhe “Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së”, të cilin presidenti Meta e vlerësoi si gjetje shumë domethënëse dhe e mençur.

“Ne në fakt kemi qenë një komb jetim për një kohë të gjatë derisa kemi gjetur veten dhe besoj se tani nuk jemi një komb i tillë, jemi një komb shumë më i sigurt për të ardhmen e tij. Jemi anëtarë në NATO, jemi pranë Bashkimit Evropian dhe shpresojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian. Natyrisht që BE ka parime shumë të rëndësishme demokratike, shoqërore, njerëzore, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen sociale, me integrimin shoqëror dhe me detyrimin e shoqërisë për t’u kujdesur për çdo individ, aq më tepër për çdo fëmijë”, tha Meta.

Kreu i shtetit shqiptar me tutje u shpreh se puna që është bërë gjatë këtyre viteve në mbështetjen dhe përkrahjen e fëmijëve jetimë ka qenë një punë e mirë, me përkushtim, me modele shumë pozitive, të cilat tregojnë që ne jemi një shoqëri që po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi sociale por që ka ende nevojë ta forcojë këtë dimension social dhe njerëzor.

“Sigurisht, që duhet të marrim më shumë përgjegjësi për të krijuar një ambient më të sigurt, më frymëzues e më angazhues për të rinjtë e për fëmijët që ëndrrat e tyre t’i shohin të realizueshme pikërisht në këtë mjedis. Secili mund të ketë një fatkeqësi apo aksident në jetë. Kjo nuk varet nga asnjë prej nesh. Por ajo që varet prej nesh është që ta duam jetën, të mos dorëzohemi para vështirësive dhe jo vetëm kaq, por t’i sfidojmë këto vështirësi dhe të arrijmë vërtet të kontribuojmë në shoqëri me aftësitë tona, me talentin, por edhe me mirësinë dhe dashurinë tonë”, theksoi Meta.

Meta i siguroj fëmijët se ai do të jetë pranë tyre për çdo aktivitet, për çdo mbështetje, për çdo promovim, për çdo ndërgjegjësim me çdo institucion shtetëror apo vendor për gjithçka që ata të kenë nevojë.

“Më konsideroni edhe mua pjesë e familjes suaj, që është një familje më e madhe dhe më e fortë se familjet e zakonshme”, u shpreh Presidenti Meta.