09:03 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Priten shkarkime të eprorëve të Policisë së Kosovës në veri (Dokument)

Në një raport me shkrim të cilin Drejtori i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj, ka dërguar në adresë të krerëve më të lartë të Policisë në veri, ka folur për gjendjen e përgjithshme brenda Policisë në këtë pjesë të Kosovës.

Në këtë raport, të siguruar nga Kosovapress, ai ka theksuar performancën e dobët të policisë në veri, ndërsa ka paralajmëruar shkarkime të eprorëve.

Sipas këtij raporti, mësohet se incidentet e rënda në veri të Kosovës janë shtuar, ndërsa asnjë nga rastet nuk është zbuluar dhe as autorët nuk janë arrestuar.

Në këtë raport të shkruar në dy gjuhë, shqipe dhe serbe, thuhet se gjendja e tanishme është shumë e papranueshme dhe nuk do të tolerohet më. Kjo dukuri duhet të ndalet, thuhet më tej në këtë raport, në mënyrë që qytetarët në veri të fillojnë të ndjehen të sigurt.

“Askush nuk mund të mbaj një pozicion të caktuar në Policinë e Kosovës në rast se nuk ka rezultate. Rezultatet janë ato që na mbajnë të gjithëve”, thuhet mes tjerash në këtë raport, të dërguar para katër ditësh dhe që mban firmën e Drejtorit të Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj.