14:52 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

Putini e shikon keq Vuçiqin, priten përplasjet

Si duket aleanca shekullore ruso-serbe po mbaron. Tashmë edhe Serbia e ka kuptuar se Rusia nuk është e ardhmja. Këtë e tregojnë edhe disa hulumtime që janë bërë kohën e fundit në Serbi nga “Faktor Plus”, por edhe orientimi secilën herë e më i madh që serbët e kanë nga Uashingtoni e Berlini.

Në takimin e parë pas inaugurimit të ri si president i Rusisë, Vlladimir Putini e ka kuptuar se Serbia pothuajse është drejtuar me sy e mendja nga Evropa dhe NATO-ja.

Fotot e takimit të tyre të djeshëm tregojnë se Putini nuk është aspak i kënaqur me qëllimet e Vuçiqit. Siç shihet në foto, Putini gjatë tërë takimit e ka shikuar shtrembër presidentin e Serbisë.

Sot, mediumi serb “Danas”, duke u thirrur në burime të veta ndërkombëtare, ka thënë se tashmë “është e mundshme kthesa definitive e Serbisë drejt Perëndimit”.

Gjithashtu, vet Vuçiqi kishte thënë pas takimit me Putinin se jo për gjithçka kanë rënë dakord me Putinin.  “Pikëpamjet tona për Kosovën janë përputhur shumëkund”, ka thënë Vuçiq, duke lënë të nënkuptohet se nuk janë pajtuar në të gjitha pikat.

Vitin e kaluar, diplomacia amerikane i kishte bërë me dije Serbisë se është koha kur ajo duhet të zgjedhë njërën nga karriget.

“Natyrisht që Serbia do ta zgjedhë Perëndimin”, ka thënë burimi ndërkombëtar për “Danas”.