14:24 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

 QTZH çertifikon 16 zyrtarë të shitjes dhe kujdesit me konsumatorë

Në ambientet e Qendrës për Trajnim dhe Zhvillim të Telekomit të Kosovës të martën është bërë shpërndarja zyrtare e çertifikatave për përfundimin e projektit të trajnimit në kualifikimin “Shitja dhe Shërbimi i Klientit”, i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK)/MASHT).

Profili në fjalë është i përbërë nga 14 module trajnimi të nivelit të III-të (sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve-KKK), ekuivalent me 20 kredi mësimore. Kreditë mësimore të fituara nga ky kualifikim janë kredi të transferueshme dhe të njohura në nivel vendi.

“Edhe ky angazhim, sikurse edhe angazhimet e tjera të Qendrës për Trajnim dhe Zhvillim, dëshmon përkushtimin e këtij departamenti për të mundësuar që kapitali njerëzor i Telekomit të Kosovës të ketë njohuritë dhe aftësitë e duhura për të plotësuar dhe përmbushur kërkesat e konsumatorëve tanë”, deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli me rastin e ceremonisë së shpërndarjes së çertifikatave për 16 punonjësit e çertifikuar.

Pjesë e këtij grupi të çertifikuar, ishin zyrtarë të shitjes nga të gjitha regjionet e Kosovës, ndërkohë që trajnimet e këtij profili kanë filluar me datë 10 Prill 2018 dhe kanë përfunduar me datë 14 Qershor 2018. Gjatë gjithë kësaj kohe, pjesëmarrësit e këtij profili janë njoftuar me shkathtësitë dhe teknikat bashkëkohore për të trajtuar dhe për të mirëmbajtuar kënqashmërinë e konsumatorëve të Telekomit të Kosovës në nivelin më të lartë.

“Që nga themelimi e deri më sot, QTZH ka avancuar, profesionalizuar dhe aftësuar shumë kuadro punonjësish në disa drejtime, por me një qëllim të vetëm për të modernizuar dhe lehtësuar shërbimin për konsumatorët”, bëri të ditur Nazmi Zeqiri, drejtor i Qendrës për Trajnim dhe Zhvillim në TK.

QTZH do të vazhdojë të kualifikojë punonjësit e Telekomit të Kosovës edhe në të ardhmen, në mënyrë që të jenë plotësisht të gatshëm për të shërbyer me efikasitet maksimal dhe për të realizuar me shpejtësi dhe profesionalizëm çdo obligim dhe nevojë të konsumatorëve.

Temat: