10:25 / E Enjte, 14 Qershor 2018 / indeksADMonline

Stoltenberg: Maqedonia merr thirrje për NATO pas vendimit për emër

Sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg ka kumtuar dje se Maqedonia do ta merr thirrjen për anëtarësim në Aleancë atë moment kur zgjidhet plotësisht kontesti me Greqinë për emër.

Ai ka përkujtuar se vendimi i tillë është marrë qysh në vitin 2008 në samitin e Bukureshtit.

“Deri në samitin e korrikut do të gjejmë mënyrën të tregojmë se qëndrojmë pas këtij vendimi dhe se e njohim rëndësinë e marrëveshjes. Njëkohësisht, ajo që tani është me rëndësi  është që të finalizohet marrëveshja në Shkup dhe në Athinë”, ka thënë Stoltenberg, transmeton agjencia e lajmeve maqedonase MIA.

Ai ka thënë se marrëveshja në mes të Maqedonisë dhe Greqisë është historike dhe e rëndësisë së madhe, jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për gjithë Evropën.

Stoltenberg, siç thotë, ka biseduar me kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaevin dhe Alexis Tsipras dhe i ka uruar për përpjekjet në këtë proces të vështirë.

Temat: