12:39 / E Shtunë, 30 Qershor 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Rritja e pagave për gjyqtarë e prokurorë të rrisë efikasitetin për luftën kundër korrupsionit

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri thotë se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndikon në shtimin e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tahiri në një postim në Facebook ka shkruar se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të shihet si investim “drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një gjyqësor efikas, të pavarur dhe llogaridhënës”, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i plotë i Tahirit:

Rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës, duhet të shihet si investim drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një gjyqësor efikas, të pavarur dhe llogaridhënës.

Krahas bazës ligjore dhe pavarësisë së plotë për të mbrojtur ligjshmërinë mbi të cilën zhvillohet një shtet bashkëkohorë, tani e tutje gjyqtarët dhe prokurorët tanë do të kenë pagat më të dinjitetshme në rajon.

Natyrisht kjo rrit edhe pritjet tona për shtim të efikasitetit në angazhimin e tyre për zbatimin e mirëfilltë të ligjit, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe qasjen në drejtësi kuptimplote dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. /Indeksonline/