13:47 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / Blerim

Intervistë: Bunjaki flet për kthimin në FFK, formën e Milotit dhe Vedatit

Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki përmes një interviste për IndeksOnline, ka folur për shumë tema që i përkasin futbollit kosovar dhe për kthimin e në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ai tregon edhe për librin e tij, që shumë shpejtë pritet të lansohet te publiku.

Bunjaki flet po ashtu edhe për formën e lojtarëve kosovarë në arenën ndërkombëtare – saktësisht për formën e Milot Rashicës në klubin gjerman, Werder Bremen dhe Vedat Muriqit në klubin nga Serie A, SS Lazio.

Intervista e plotë:

  1. Që prej largimit nga Feronikeli, publiku nuk e di se ma çfarë jeni angazhuar?

“Pas largimit tim unë vazhdova punën si instruktor teknik në UEFA dhe kjo ishte shumë me rëndësi për zhvillimin tim personal dhe për Kosovën. Natyrisht se eksperiencën time të marr nga kjo do e shfrytëzoj në Kosovë.”

2. E keni përmendur se do ta shkruani një libër rreth aventurës te Kosova, kur do të jetë gati për lexuesit?

“Po pjesa ime ka përfunduar dhe tani është pjesa e lektorimit që merr kohë, por edhe që do të jetë në dy gjuhë, edhe anglisht do merr dyfish kohë. Me rëndësi është që kur të jetë gati të jetë mirë, dhe për këtë nuk po ngutem.”

3. Çfarë mund të arrij Kombëtarja e Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës ‘Katari 2022’ – a do të jetë një aventurë më e vështirë se Kampionati Europian dhe UEFA Nations League?

“Kualifikimet për botëror janë më të vështirat nga se vetëm një kombëtare kualifikohet direkt dhe të mos them e pamundur. Por janë shumë të rëndësishme për zhvillimin tonë dhe për kualifikimet në Ligën e Kombeve, ku ne do të shohim mundësinë tonë.”

4. E ardhmja juaj?

“Në fakt pas 3 viteve jam rikthyer në FFK, por në rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Nga kjo pozitë e shoh vetën që mund të kontribuoj më së shumti. Jam falënderues ndaj kryetarit, Agim Ademi dhe KE, që ma dhanë këtë mundësi. Unë jam kyç në janar dhe gjitha këto procese kanë qenë të planifikuara më herët. Para vitit 2016 Kosova kishte vetëm një objektiv, e që ishte pranimi në UEFA dhe FIFA. Sot federata është pjesë e këtyre organizatave dhe me asistimin e tyre ka strategjinë e saj për zhvillim dhe në fakt është punë e madhe dhe ekipore që është duke u bërë në federatë.”

5. Po ndryshohen trajnerët në Federatën e Futbollit të Kosovës në të gjitha grupmoshat, a keni pasur ju ndonjë bisedë dhe si e vlerësoni vendimin e FFK-së për vazhdimin e Bernard Challandes në stolin e Kosovës?

“Unë kam qenë përkrahës i këtij vendimi dhe mendoj që ishte më e mira nga se nuk duhet harruar se Kosova edhe pas katër viteve vazhdon të jetë Kombëtarja më e re në Botë. Kjo tregon se ne duhet të presim të paktën edhe 3-4 vite për të nxjerr maksimumin nga kjo gjeneratë.”

6. Forma e futbollistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare. Çfarë po ndodhë me Milot Rashicën? Si e komentoni formën e Vedat Muriqit te Lazio?

“Koha është që Miloti të vazhdon rrugën e tij në një ambient tjetër dhe sa kam kuptuar kjo është edhe dëshira e tij. Unë besoj se hapi i radhës është shumë me rëndësi për të. Gjithmonë kam besuar në të dhe besoj edhe sot, se vetëm ai mund të vendos nivel.”

“Sa i përket Vedat Muriqit do i duhet durim dhe për këtë sa unë e njoh, e di që është njeriu i duhur që me durim dhe punë do të jetë një ndër lojtarët më të mirë në Lazio. Mendimi im është se Muriqi ka kapacitet edhe për një nivel më të lartë, por këtë do ta arrij pas 2-3 viteve me durim dhe punë.”

7. Problemi më i madh te Kosova janë portierët. Çfarë duhet bërë për ta larguar këtë dukuri?

“Po është e vërtetë. Mendoj se duhet fokusohemi në edukime për portierë, të krijojmë shkolla për portier, e pse jo edhe të kyçim ekspertë teknik dhe ndërkombëtar në klubet tona. Kjo është pjesa më e vështirë të ndryshoj dhe i duhet kohë, ndoshta duhet të mendojmë edhe përtej asaj normales, pra globalizmit, pra afrimin e lojtarëve të huaj.”

8. Në fund do doja të flisja pak për Superligën e Kosovës, kualitetin e saj dhe sa është përmirësuar gjatë këtyre viteve?

“Në fakt Superliga e Kosovës ka ngritje, pa dyshime. Por ky ndryshim do kërkonte më shumë kohë. Ndryshimi i madh do të vjen në momentin kur një klub kosovar synon më të vërtetë ligën e UEFA-s dhe fazën e grupeve. Pra një projekt afatgjatë. E kjo mendoj se do të vijë pas 7 viteve. Jam shumë i sigurt për këtë.”