21:21 / E Premte, 26 Prill 2024 / MSH

Legjenda e Liverpool-it kundër Slot-it: Unë do preferoja Tuchel

Trajneri i ardhshëm i Liverpool-it mund të jetë Arne Slot, i cili tani konsiderohet se është në “pole position”.

Legjenda e “The Reds” Jamie Carragher në një prononcim të fundit në media është shprehur kundër këtij vendimi të ish-klubit të tij, ndërsa theksoi se do të preferonte Thomas Tuchel përpara Slot për të marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të Jurgen Klopp.

“Unë do t’i kisha kushtuar më shumë vëmendje një trajneri si Thomas Tuchel, i cili u përball dhe ka mundur Pep Guardiola-n në një test vendimtar, pra në finalen e Champions League në krye të Chelsea-t. Tuchel pasoi Klopp në Mainz dhe Borussia Dortmund dhe bëri mirë. Te Bayern Munich ai nuk ka ecur shumë mirë këtë sezon, por ju duhet vetëm të shikoni Carlo Ancelotti-n dhe Unai Emery-n për të kuptuar se si trajnerët më të mirë në botë gjithmonë kalojnë pengesa të tilla. Nëse një tjetër klub anglez do të nënshkruante me Tucheli-n, unë besoj se ai do të përmirësohej ndjeshëm, por ndjenja ime është se Liverpool-i nuk dëshiron një trajner me reputacion për të debatuar dhe shkaktuar probleme”-tha fillimisht ish-futbollisti.

Më tej ai shtoi se më mirë do të preferonte një trajner që është mësuar të fitojë, pavarësisht se mund të jetë i vështirë për t’u menaxhuar sesa ditë që nuk ka përvojën e duhur.

“Unë do të preferoja një trajner që është mësuar të fitojë dhe që mund të jetë i vështirë për t’u menaxhuar sesa një trajner që mund të jetë i lehtë për t’u menaxhuar, por ende ka gjithçka për të provuar. Shqetësimi im kryesor është ky: a do të shkojë Slot në Angli gati për t’u përballur me Guardiola-n në Premier League dhe Champions League?”-deklaroi Carragher.