20:17 / E Hënë, 02 Tetor 2017 / indeksADMonline

Tri kompani të interesuara për ndërtimin e Rrugës së Arbrit

Tre kompani shfaqin interes për të ndërtuar dhe mirëmbajtur Rrugën Arbrit.

Në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u mblodh sot Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”.

Nga shqyrtimi i sistemit elektronik, rezultoi se kishin shprehur interes 3 operatorë ekonomikë dhe konkretisht:

1. Operatori Ekonomik Adem Pojani

Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumenta, të cilat nuk rezultojnë të mjaftueshme për tu konsideruar ofertë zyrtare;

2. Operatori Ekonomik Shoqëria “Alb-Star”sh.p.k.

Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumente, por nuk u konstatuan të dhënat e ofertës financiare.

3. Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a

Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor si dhe kishte paraqitur Propozim Financiar. Nga shqyrtimi paraprak i Propozimit Financiar rezultoi se Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a; kishte propozuar si vlerë projekti shumën prej 33,6 miliardë lekë.

Në përputhje me përcaktimet ligjore, brenda afatit ligjor 60 ditor, Komisioni do të kryejë shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të ofertave të paraqitura dhe do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.

Rruga e Arbrit ka një gjatësi prej 73.5 kilometër. Aktualisht në këtë rrugë ka përfunduar plotësisht 20.12 kilometra të saj e gjitha e ndërtuar me buxhetin e shtetit.

Ndërtimi i rrugës pritet të fillojë menjëherë pas firmosjes së kontratës me fituesin, ndërsa fondi i vënë në dispozicion përmes projektit “1 Miliard Euro” është 33.6 miliardë lekë, ose rreth 254 milionë euro.

Si pjesë e këtij projekti, pagesa për kompaninë fituese do të bëhet me “këste” në 10 vitet e ardhshme, ku kësti i parë do të jepet jo më parë se dy vjet pas miratimit të kontratës PPP./Oranews