18:40 / E Diele, 01 Prill 2018 / indeksADMonline

Trump ‘luftë’ ndaj Amazon

Gjiganti amerikan i tregtisë online Amazon është kthyer në shënjestrën më të fundit të sulmeve të Donald Trump.

Presidenti deklaroi se marrëveshja e biznesit mes kësaj kompanie dhe Shërbimit Postar amerikan, është një akord që sjell humbje.

“Zyra e Postës do të humbasë mesatarisht 1.50 dollarë për çdo pako që shpërndan për Amazon. Kjo shkon në miliarda dollarë dëme”, shkroi Trump në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Twitter. Presidenti kërkoi që Amazon të paguajë kostot dhe taksat reale e të mos zhvat më Zyrën e Postës.

Trump gjithashtu sulmoi edhe të përditshmen The Washington Post, e cila është nën zotërim të themeluesit dhe shefit ekzekutiv të Amazon, Jeff Bezos. Për presidentin, kjo gazetë duhet të regjistrohet si lobiste për gjigandin e tregtisë online.

Më parë, Trump e ka etiketuar The Washington Post si pjesë të rrjetit mediatik që shpërndan lajme të rreme për të. E përditshmja ka raportuar jo pak herë histori të cilat kanë tronditur opinionin publik, si hetimi i lidhjeve mes fushatës Trump dhe Rusisë apo donacionet e presidentit për organizatat bamirëse, temë për të cilën kjo gazetë fitoi edhe Çmimin Pulitzer një vit më parë.

Kritikat e presidentit për modelin e biznesit të Amazon kanë përtëritur shqetësimet se gjigandi i tregtisë online mund të përballet me rregulla më të ashpra nga rregullatorët antitrust. Javën e kaluar, aksionet e Amazon ranë në 3.3%, duke bërë që vlera e saj në treg të binte me 24 miliardë dollarë.