14:42 / E Martë, 17 Korrik 2018

U kapën në mal, policia i rrah brutalisht pesë persona në Istog (Foto)

Mbrëmjen e së shtunës pesë persona kishin shkuar në malin e tyre për t’u furnizuar me drunj. Por, misioni i tyre nuk doli siç ishte parashikuar pasi që u kthyen të rrahur e maltretuar, siç thonë ata nga policia e Kosovës. Ngjarja ka ndodhur në Bjeshkët e Istogut konkretisht te ‘Lugu i Bajshes’ në brezin kufitar me Serbinë. Të dëmtuarit janë anëtarë të familjes dhe rreth shoqëror. Bëhet fjalë për, Visar Hajzeraj, Sahit Hajzeraj (vëllezër), Rexhë Arifaj, Luan Arifaj (familjar të vëllezërve Hajzeraj) dhe Sokol Januzaj (i afërt me personat në fjalë), shkruan Indeksonline.

I përfshirë në këtë rast, i dëmtuari Rexhë Arifi për Indeksonline ka treguar gjithë ngjarjen që iu ka ndodhur. Sipas tij, kanë qenë dy policët e stacionit të Istogut, Januz Bujupi, Ibrahim Shatri dhe një femër që kanë përgatitur ‘skenar’ të dhunshëm për ta. Ai pretendon se kjo situatë ka qenë e përgatitur më parë.

“Në mal ka ardhur polici Januz Bujupi bashkë me kolegë dhe na ka thênë se duhet që t’i thërrasim pylltarët që të na tregojnë origjinën e drunjve. Pas një ore kanë ardhur pylltarët, por jo ata që kanë qenë komepetent por disa që ishin shumë të korruptuar. Ne nuk kemi gjetur mirëkuptim me ta, Januz Bujupi i ka thirrë përforcimet e Njësive për intervenime të shpejta bashkë me policin kufitare dhe na kanë urdhëruar me shku tek vendi Mirëmbajtja në Istog. Ata këta kishin qenë të porositur dhe kanë filluar që të na rrahin”, ka rrëfyer Arifaj ngjarjen.

Më tutje, Arifaj tregon se është lënduar pasi i është hedhur sprej në sy. Sipas tij, nuk ka arsye që iu është bërë kjo padrejtësi.

Ndërkaq, të dëmtuarit kanë dërguar edhe fotografi në redaksinë e Indeksonline, ku shihen raportet mjekësore të lëshuara nga mjekët për lëndimet e pranuara nga zyrtarët policorë. Indeksonline ka folur edhe me Visar Hajzeran, i dëmtuari tjetër i këtij rasti. Hajzeraj thotë se policët iu kanë thënë se dënimi për këtë ndërhyrje në mal është deri në 1800 euro. “Pasi na kanë sulmu, kemi kërku me na dërgu në spital, ata na kanë futë në paraburgim prej 48 orësh. Të nesërmen të tjerë policë të stacionit të Istogut janë sjellë shumë mirë dhe na kanë dërgu te mjeku edhe d.m.th, pas 48 orëve jemi liru, e pas tri ditëve na kanë thirr, i kanë qu mjetet tona në doganë. S’kam pa asnjë vend në botë që vonohen kaq shumë gjërat në doganë, pra ende aty janë”, ka thënë ai. Në fund, ai shton se kanë qenë me mjetet e tyre në mal të nipave të tij, por sipas Hajzerajt, Januz Bujupi me policë tjerë të policisë kufitare kanë ardhur me katër vetura të Njësisë Speciale dhe i kanë sulmuar.

Të njëjtit mësohet se kanë prerë ilegalisht drurë në zonën kufitare me Serbinë, madje duke kaluar disa herë me prerje edhe në zonën e Serbisë. Dy vite më parë ata janë rrahur nga policia e Serbisë për këtë veprim. “Ma shumë na ka rreh policia e Kosovës, se sa e Serbisë” ka thënë në kushte anonimiteti njëri nga të lënduarit.

Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës në komunën e Istogut, por që të njëjtit kanë thënë se nuk kanë informacione zyrtare.