20:06 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

Vartësit i çuan viktimat në gojë të ujkut, shefat s’dinin gjë !

 Shkruan: Agim Muhaxheri

Erdogani i kërkoi ata të shkollës së Fethullah Gülen-it, 6 bashkëkombësit e tij. Tanët, pa e vrarë mendjen se ç’po bëjnë nuk ia prishën qejfin. Drama si në filmat e Alfred Hitchcock-ut. Shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut, të sanksionuara me konventat ndërkombëtare. Ministrin e Brendshëm, Flamur Sefajn dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashin – i stërpikën, në vend se ti fusin në burg… Kroacia e liroi Ballistin (Ismail Morinën), nuk e ekstradoi në Serbi. Kosova i ekstradoi shtetasit turq ‘pa dhimtë’. Ka rregulla si bëhet (s’bëhet) ekstradimi ! Krimi në emër të shtetit s’ka brirë !

—————————

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan me tespihe në dorë i priste viktimat, bashkëkombësit e tij t’i fut në qeli. Autoritet e sigurisë së Kosovës i thanë: Po abej, t’i çojmë… I çuan në gojë të ujkut 6 shtetasit turq, pesë prej tyre punonjës të kolegjit “Mehmet Akif”, njëri nga ta kardiolog. Tmerr e trishtim. Imazh i keq për shtetin tonë ! Ajo çfarë ndodhi me shtetasit turq është dramë në vete, është një rrëmbim klasik në emër të shtetit të Kosovës. Drama ngjet si në filmat e regjisorit Afred Hitchcock. Operacioni ndaj tyre u krye nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia e Kosovës.

Këta të rrëmbyer do ta kujtojnë dëbimin, bartjen me një aeroplan sekret turk nga Aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë. Mjaftoi tu veshet etiketa – përkrahës të Fethullah Gülen-it, për ta përmbushur kërkesën e presidentit turk. Doli që krerët e shtetit nuk paskan ditur gjë për këtë rrëmbim që ngriti në këmbë Kosovën, por edhe Turqinë.

Vartësit e luajnë lojën… S’dinin gjë krerët e shtetit ! S’di gjë i zoti i shtëpisë ç’bëjnë ‘ropt e shpijes’ ! Ministrin e Brendshëm, Flamur Sefajn dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashin i shkarkuan, në vend se t’i fusin brenda grilave. Mbrojtësit e këtyre “pacientëve” thanë se klientët e tyre nuk kanë pasur problem me ligjin, as me vendqëndrimin. Ndodhë gjimnastika policore. Theksohet se vendqëndrimi i tyre është revokuar dhe “lejohet ankesa”. Ku të ankohen tash ? Me ta merret Erdogani ! S’është punë vendqëndrimi. Pikësynim i Erdoganit është të mbyllen shkollat e Fethullah Gülen-it, të ndiqen punonjësit e tyre.

Publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij “Zotërinj porotë”, kur bën fjalë për naivitetin e policisë e përdor thënien frënge “bande d’idiots”. Ekstradimi nuk lejohet për çfarëdo arsye të bazuar që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare ose me standardet ndërkombëtare te të drejtave të njeriut. Sipas të drejtës penale ndërkombëtare, nëse është motivi politik, shteti nuk e bën ekstradimin e personit të kërkuar. Kushtetuta jonë, në nenin 22, jo më kot nuk e përmend zbatimin e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut… Kodi ynë i procedurës penale e parasheh ekstradimin, kur aktivizohet, në çfarë rrethanash…

Kroacia e liroi Ballistin (Ismail Morinën), nuk e ekstradoi në Serbi.Tifozi kuqezi që mori përsiper ngritjen e dronit në Beograd në mbrëmjen e 14 tetorit 2014 fitoi betejën në gjyq, pasi ishte mbajtur nëntë muaj brenda grilave… I riu nga Kukësi i shpëtoi ekstradimit në Serbi. Kosova i ekstradoi shtetasit turq ‘pa dhimtë’. Ka rregulla si bëhet (s’bëhet) ekstradimi ! Kosova e theu akullin. Është vendi i parë në Europë që përmbushi kërkesën e Erdoganit. Krimi në emër të shtetit s’ka brirë !