17:54 / E Mërkurë, 16 Maj 2018

Vuçiq e konfirmon në Sofje: E kam marrë një plan të Perëndimit për Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar në Sofje, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, sot pasdite, se e ka pranuar një plan të përgatitur nga Perëndimi si propozim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

B92 raporton se kjo është hera e parë që Vuçiq e ka thënë këtë publikisht – pas disa ditësh spekulimesh në media se Perëndimi “po e kërcënon dhe po e shantazhon atë dhe Serbinë”.

“Askush nuk po e kërcënon Serbinë e as mua. Ka pasur presion ndaj Serbisë për pesë vite tani sepse Perëndimi po e dëshiron pavarësinë e Kosovës. Ne nuk e duam. A na obligon kjo? Jo. A është pozita jonë e lehtë? Jo. Nëse do të pranoja diçka që do t’i përshtatej opinionit serb, do të dilja para popullit, por kam pranuar vetëm shenja”, tha Vuçiq.

“Ne e kemi një plan të caktuar, por nuk jam i kënaqur me detaje të caktuara. Jemi në kërkim të një zgjidhjeje kompromisi që kërkon marrjen në konsideratë të interesave të serbëve në Kosovë, por edhe të Kosovës”, ka përfunduar ai.