13:21 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

VV: Nushi e Rrusta nuk kanë pozicione në Lëvizje

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me një konferencë për media e cila është thirrur sot për në orën 14:00 nga anëtarët e saj, Nol Nushi dhe Teutë Rrusta.

“Bazuar në praktikat e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësuesit e saj thërrasin konferenca për media në koordinim me Sekretariatin për Media dhe konferencat i mbajnë në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje. Për konferencën e Nol Nushit dhe Teuta Rrustës jemi njoftuar se ata do të mbajnë një konferencë për media jashtë zyrave të Lëvizjes”, thuhet në reagimin e VV-së.

Noli dhe Teuta, bashkë me disa aktivistë të punësuar në Sekretariatin e Përgjithshëm, pas zgjedhjeve lokale (nga 20 Nëntori), sipas komunikatës së VV-së, nuk kanë shkuar me rregull në zyrë, në vendin e tyre të punës.

“Më 18 dhjetor 2017 në mbledhjen e Sekretariatit të Përgjithshëm në të cilën ka qenë edhe Noli e Teuta, është kërkuar nga të njëjtit t’i respektojnë obligimet e punës që dalin nga Kontrata që e kanë nënshkruar dhe Rregullores së punës së Lëvizjes Vetëvendosje, që është në harmoni me Ligjin e Punës. Edhe pas kësaj dite, dy të lartpërmendurit nuk kanë ardhur në vendin e tyre të punës. Teuta deri më tani, brenda 2 muajve, 2-3 herë ka kryer disa shërbime në cilësinë e përgjegjëses për Qendrat e Lëvizjes”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Për shkak të mosardhjes në punë dhe moskryerjes së detyrave të punës, kontratat e skaduara më 31 dhjetor 2017, të Nolit dhe Teutës, sipas komunikatës, nuk ka qenë e mundur të përtëriten dhe prandaj as nuk mund të konsiderohen si të punësuar mëtutje në Sekretariatin e Përgjithshëm.

“Arsyet e lartpërmendura janë dëshmi e mjaftueshme se Noli dhe Teuta në këtë Konferencë nuk përfaqësojnë pozicionet e mbajtura më herët në Sekretarin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!”, thuhet në komunikatën për media të VV-së./Indeksonline/

Temat: