13:42 / E Enjte, 29 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Mbahet për herë të parë Konferenca “Teatri, mes artit dhe politikës”

Të premten me 30 nëntor, mbahet në Prishtinë konferenca teatrore me temën: “Teatri, mes artit dhe politikës”. Kjo është hera e parë që organizohet një konferencë e tillë, ku do të diskutohet për problemet me të cilat ballafaqohet sot teatri në Kosovë.

Marrin pjesë emra të njohur të botës akademike dhe artistike, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Kulturës, Koordinatori Nacional për Kulturë, drejtues të kulturës në nivelin lokal, kritikë teatri etj.

Konferenca organizohet në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Përpos pjesës hapëse, ajo do të ndahet në dy sesione: Sesioni i parë do ta ketë këtë temë bosht: “Ndikimi i politikës në kulturën teatrore nacionale dhe në identitetin e saj”. Ndërkaq, sesioni i dytë do ta ketë temën bosht: “Autonomia krijuese, estetika teatrore dhe politikat administrative”.

Në përfundim të konferencës, bordi drejtues do të dalë me rekomandimet konkrete për institucionet kompetente, për avancimin e teatrit në vendin tonë. Drejtoreshë e përgjithshme e konferencës është Prof. Asoc. Elmaze Nura, regjisore teatri dhe profesoreshë e regjisë së teatrin në Fakultetin e Arteve- UP.