23:55 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Zëvendësimi i asamblistëve i pamundur deri në emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Janë rreth dhjetë asamblistë të rinj të kuvendeve të komunave të ndryshme që nuk po arrijnë të zëvendësohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Krejt kjo për shkak të mungesës së emërimit të anëtarëve të rinj.

Anëtarët e KQZ-së tani me mandat të skaduar nuk kanë mbajtur mbledhje që më shumë së një muaj. Në faqen e KQZ-së, tek rubrika e mbledhjeve, data e fundit e mbledhjes së mbajtur është me 23 mars.

Përderisa nuk mbahen mbledhjet dhe nuk votohen ato, asamblistët nuk mund të zëvendësohen, shkruan Indeksonline.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Indeksonline ka thënë se në mbledhjen e radhës do të shqyrtohen dhe miratohen këto kërkesa, por ai nuk ka precizuar datën se kur do të mbahet ajo.

“Në mbledhjen e radhës do të shqyrtohen dhe miratohen kërkesat që kanë të bëjnë me zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale”, ka thënë shkurt ai për Indeksonline.

Ndryshe, me 17 prill Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka riemëruar Kryetare të KQZ-së, Valdete Daken, por jo edhe anëtarët e KQZ-së.

Ky është mandati i dytë për Daken që do të shërbejë si kryetare e KQZ-së./Indeksonline/

Temat: