14:48 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Zv/ministri Shkodra vizitoi pikëkalimin kufitar në Merdare

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra ka vizituar pikën e kalimit kufitar në Merdarë, me ç’rast u prit nga komandanti i Policisë së Kosovës në këtë pikë kufitare, Sead Gashi.

Me këtë rast, zëvendësministri Shkodra u njoftua nga përfaqësuesit e Policisë së Kosovës në këtë pikë, për mbarëvajtjen e punës dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Komandanti i Policisë Kufitare, Sead Gashi, bëri të ditur se ekziston një bashkëpunim i mirë mes të gjitha agjencive të cilat shërbejnë në këtë pikë kalimi kufitar.

Ai theksoi se kjo pikë është shumë e frekuentuar, sidomos gjatë sezonit veror. Sipas tij, tashmë zbatohet masa në bashkëpunim me doganën një ndalje-një kontroll, e cila është shumë efikase.

Zëvendësministri Shkodra me ofroi përkrahjen e tij dhe të MPB-së.  “Do të angazhohem personalisht në përmirësimin e kushteve të punës së Policisë së Kosovës dhe do bëjmë përpjeke që prioritetet, sidomos sa i përket avancimit të punës në për finalizimin e ligjit për pensionimin e Policisë së Kosovës”, theksoi Shkodra.

Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, zëvendësministri Shkodra u njoftua edhe për ritmin e punimeve të pikës së kalimit kufitar në Merdare, projekt ky i cili është mbështetur nga Bashkimi Evropian.