15:41 / E Hënë, 10 Gusht 2020

​BE rrit punësimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor me 10 milionë euro për NVM-të

Bizneset që ofrojnë punësim ose trajnim për të rinjtë do të përfitojnë nga kredia prej 85 milionë euro në saje të një pakete garancie prej 10 milionë euro të financuar nga Bashkimi Evropian.

Rreth 1200 ndërmarrje të vogla dhe të mesme në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë do të përfitojnë dhe ofrojnë deri në 1300 trajnime profesionale, praktika profesionale ose mundësi punësimi për të rinjtë vendas.

Për të adresuar papunësinë e të rinjve, si një sfidë kryesore ekonomike dhe sociale në rajon, BE-ja ka siguruar përmes Fondit Evropian të Investimeve një garanci shtesë që do t’u mundësojë bankave në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë që të japin kredi me kushte të favorshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

BE ofron mbështetje si pjesë e nismës “BE për Punësimin e Rinisë dhe Sipërmarrjen” e zbatuar në kuadër të Instrumentit për Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe Inovacionin në Ballkanin Perëndimor dhe mekanizmit të saj “BE për punësimin e rinisë dhe sipërmarrjen” të krijuar për të mbështetur punësimin e të rinjve në rajon duke hequr pengesat që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme vendase hasin në qasjen e financave.

Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, pothuajse 99% e të gjitha bizneseve janë të përmasave të vogla ose të mesme dhe punësojnë mbi 70% të fuqisë punëtore. Në të njëjtën kohë, shkalla e papunësisë te të rinjtë është ndër më të lartat në botë.

Ajo ndryshon nga 28.3% në Shqipëri, në 55.4% në Kosovë (2018). Shumë punëtorë të rinj janë të angazhuar në punë të përkohshme, në ekonominë informale dhe me një raport të lartë të mospërputhjes së aftësive.