20:23 / E Hënë, 16 Maj 2022 / AR

​KE: Inflacioni do të shënojë rënie graduale në vitin 2023

Komisioni Evropian (KE) publikoi sot një vlerësim se inflacioni i eurozonës do të arrijë kulmin në tremujorin e dytë të këtij viti dhe do të rritet në 6.9 për qind, dhe më pas do të shënojë rënie graduale në 2.7 për qind vitin e ardhshëm.

“Ne presim që inflacioni të arrijë kulmin në tremujorin aktual, të dytë të këtij viti dhe do të fillojë të bjerë gradualisht pas kësaj,” tha komisionari për Çështje Ekonomike Paolo Gentiloni në një konferencë shtypi.

Inflacioni në BE ka filluar të rritet që nga shkurti 2021. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ishte 4.6 për qind, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti u rrit në 6.1 për qind. Inflacioni në eurozonë ishte 7.5 për qind në prill, norma më e lartë e inflacionit në historinë e Bashkimit Monetar Evropian.

Inflacioni në eurozonë këtë vit do të jetë 6.1 për qind dhe më pas të bjerë në 2.7 për qind në vitin 2023. Në parashikimet ekonomike dimërore për muajin shkurt të këtij viti, Komisioni vlerësoi rritjen e inflacionit në 3.5 për qind këtë vit.

Inflacioni në nivelin e BE pritet të rritet nga 2.9 për qind vitin e kaluar në 6.8 për qind këtë vit dhe të bjerë në 3.2 për qind vitin e ardhshëm.

Inflacioni bazë, i cili merret kur hiqen komponentët e paqëndrueshëm si çmimet e energjisë, parashikohet mbi 3 për qind në 2022 dhe 2023 si në eurozonë ashtu edhe në BE në tërësi, mbi objektivin e Bankës Qendrore Evropiane prej 2 për qind në periudhën afatmesme.

Në Kroaci, e cila pritet të bëhet anëtari i 20-të i eurozonës nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Komisioni parashikon inflacion prej 6.1 për qind këtë vit dhe 2.8 për qind vitin e ardhshëm. Inflacioni u rrit me një normë prej 2.7 për qind vitin e kaluar.

Komisioni pret inflacionin më të lartë në Lituani, 12.5 për qind, e ndjekur nga Bullgaria 11.9, Polonia 11.7 dhe Republika Çeke 11.6 për qind. Inflacioni më i ulët pritet në Portugali 4.4 për qind, në Maltë dhe Finlandë me 4.5 për qind.