16:32 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020

​Pretendimet e ish-drejtorit të ATK-së, opozita kërkon sqarime nga Ministria e Financave

Komisioni për Buxhet dhe Transfere nuk e ka miratuar sot në lexim të dytë Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Anëtarët e komisionit kanë vendosur që të mërkurën e ardhshme të shqyrtojnë dhe të miratojnë tetë amendamentet dhe raportin për këtë projektligj.

Megjithatë, opozita ishte e gatshme që sot të diskutojë dhe të kërkojë llogari nga ministrja e Financave për shkarkimet e fundit në Doganë dhe ATK.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati ka kërkuar që Hykmete Bajrami të raportojë për rastin e shkarkimit të drejtorit të ATK-së, por që shumica e anëtarëve nuk u pajtuan, derisa kërkuan përgatitje nga ministrja që të raportojë në mbledhjen e ardhshme.

Murati tha se nëse ka dyshime për shkelje ligjore në rastin e ATK-së, komisioni duhet të diskutojë.

“Arsyeja pse po e propozoj, sepse kemi të bëjmë me pretendimet që kanë implikime mjaft serioze në sistemin financiar të Kosovës, pra bëhet fjalë për, ashtu siç është thënë në konferencë rreth 7 mijë e 200 biznese dhe një evazion fiskal me qarkullim prej 3.5 miliardë. Janë shifra të mëdha, nuk e di a kanë saktësi apo jo”, tha Murati.

Ndërsa, ministrja Bajrami sot nuk ishte e gatshme të raportojë në këtë komision për shkak të agjendës të ngarkuar. Ajo megjithatë nuk e përjashtoi mundësinë që të raportojë në një prej mbledhjeve të ardhshme, por jo edhe për pretendimet.

E pretendimet e ish-drejtorit të ATK-së, ministrja Bajrami tha se duhet t’i hetojë prokuroria.

“Sa i përket pretendimeve të ish-drejtorit, unë mendoj se duhet ët ftohet ai, për arsye se ish-drejtori ka qenë për dy vite drejtor dhe këto i ka bërë publike vetëm në momentin kur është shkarkuar. Në ndërkohë, para asaj kohe ai ka qenë drejtor në departamentin për mbledhje të borxheve. Kështu që mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë. Deklaratat janë publike, duhet të mbanë përgjegjësi, kështu që unë nuk kam informacione rreth atyre”, tha Bajrami.

Deputetja Mimoza Kusari – Lila duke folur për shkarkimet, tha se pretendimet e ish-drejtorit të ATK-së paraqesin skandal për vendin.

“Ajo për çka i është referuar tash ish-drejtori, përveç faktit paraqet një skandal të madh në nivel shteti. Gjithashtu paraqet pasiguri përmbajtjesorë”, tha ajo.

Deputeti nga LDK-ja Fatmir Rexhepi tha se është kompetencë e Qeverisë për shkarkimet dhe emërimet nga Doganë e ATK, andaj Kuvendi nuk mund të ndërhyjë dhe të kërkojë llogari pasi që ata nuk janë emëruar nga parlamenti.

“Mos të dalim jashtë asaj që na takon. Një sqarim i shkurt, kur të emërohen këta a pyetet Komisioni për Buxhet? Jo. Nuk pyetet, pra sikur të ish pyet Komisioni për Buxhet se cilat kuadrat duhet të vendosen aty, e keni këtë të drejt që po e kërkoni ju. Prandaj, nuk shkojnë këto punë kështu”, tha Rexhepi.

E deputeti Bedri Hamza nga PDK-ja ka thënë se për këtë çështje është vështirë të jepet mendim meritor pa pasur më shumë fakte lidhur me atë që ka ndodhur në ATK.

“Unë e respektoj kur respektohen procedurat dhe në procedurë emërohet dikush, si dhe në procedurë shkarkohet dikush nga një pozicion i caktuar. Megjithatë, mos respektimi i procedurave pa u kufizuar në shkarkimet e fundit, mund t’i kushtojnë dhe do t’i kushtojnë shtetit edhe në aspektin financiar”, tha Hamza.

Propozimi i tij mori përkrahjen e vetme nga Mimoza Kusari-Lila e cila e konsideroi të arsyeshme të debatohet dhe të trajtohet ky rast.

Komisioni vendosi që në mbledhjen e ardhshme të vendosë për ditën e diskutimit mbi shkarkimet.