18:01 / E Hënë, 06 Korrik 2020

​Zvicra s’di çfarë të bëjë me respiratorët e tepërt, të blerë në kohë pandemie

Autoritetet zvicerane po mendojnë se çfarë duhet të bëjnë me respiratorët e tepërt që blenë në sasi të mëdha në kohën kur shpërtheu pandemia e koronavirusit.

Stoku i maskave higjienike është grumbulluar dhe ka më shumë se 200 milionë prej tyre, dhe disa porosi nuk kanë mbërritur, tha Ministria e Mbrojtjes, duke konfirmuar kështu shkrimin e të përditshmes ‘Sonntags Zeitung’.

Gazeta i referohet procesverbalit të komisionit qeveritar, i cili thotë se autoritetet kantonale po kthejnë respiratorët në federatë, dhe këto nuk kanë ku t’i ruajnë ose mirëmbajnë ato.

Kjo do të thotë që kantonet mund t’i mbajnë, t’i shesin në vende të tjera ose t’i dhurojnë ato, ndoshta për vendet në zhvillim.

Ndërsa përqindja e njerëzve të sëmurë dhe që vdesin nga COVID-19 u rrit në fillim të këtij viti, shtetet nxituan të blinin respiratorë për të ndihmuar të sëmurët seriozisht të merrnin frymë.

Ministria e mbrojtjes tha se nga 900 respiratorët e dorëzuar deri më 24 qershor, 261 ishin ruajtur në shërbimin mjekësor ushtarak dhe 639 u shpërndanë kantoneve.

Edhe 300 respiratorë të tjerë pritet të vijnë deri në mesin e gushtit.

Qeveria e ngarkoi shërbimin mjekësor ushtarak që të blinte pajisje pas përhapjes së pandemisë. Ajo i kërkoi parlamentit të miratojë më shumë se 2.5 miliardë franga zvicerane për qëllimin, dhe afërsisht një e pesta e kësaj shume ishte shpenzuar.

Blerja e pajisjeve mbrojtëse, furnizimeve mjekësore dhe testeve është ende në vazhdim, dhe një raport mbi çmimin total do të bëhet kur të përfundojë gjithçka.

Mos i humb