13:59 / E Mërkurë, 27 Shkurt 2019 / indeksADMonline

​​ASK publikoi të dhënat e tregtisë së jashtme

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të dhënat e tregtisë së jashtme, lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2019 në vendin tonë.

Të dhënat tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 2.1% në muajin janar të këtij viti, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 166.9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 170.5 milionë euro në vitin 2018.

Eksporti mbulon importin me 12.3%.“Eksporti i mallrave në muajin janar 2019 kishte vlerën 23.4 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerën prej 190.4 milionë euro, ku është një rënie prej -4.3% për eksport, si dhe një rënie prej -2.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thuhet në deklaratën e ASK-së.

Sipas të dhënave të prezantuara, 36.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.2% e përbëjnë produktet minerale; 7.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.9% e përbëjnë produktet bimore etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë 18.1% produktet minerale; 11.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.4% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 8.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.5% mjetet e transportit; 7.9% produktet e industrisë kimike; 5.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.