75 Mall Live Search
18:23 / E Diele, 06 Tetor 2019 / indeksADMonline

​​Banorët e Plemetinit të pakënaqur me përfaqësuesit e deritashëm politik

Kanë mbetur edhe dy orë kohë, deri në mbylljen e qendrave të vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme nacionale, e banorë të Plemetinit të Obiliqit derisa theksojnë pakënaqësitë e tyre për qeverisjet e kaluara, urojnë që përfaqësuesit e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, do të merren me problemet e tyre.

Bajrush Berisha, përfaqësues i komunitetit ashkali në Plemetin shprehet optimist se me qeverisjen e ardhshme do të zgjidhen disa nga hallet e tyre.”Ne jemi mësuar gjithmonë me një shpresë që një dite do te bëhet mirë, dhe besoj që edhe për neve do të ngroh dielli sikurse për të tjerët.

Besoj që pas zgjedhjeve do të ketë sukses bile këto zgjedhje, dhe një varg problemesh që do të zgjidhen… Besoj qe në vitin 2020 me një qeverisje të re shumë probleme do të rregullohen”, thotë Berisha.Ai uron që përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, do të jenë më aktiv për problemet e komunitetit.  Ndërsa, Fehmi Kovaçi banor i Plemetinit konsideron se premtimet e përfaqësuesve politikë, ashtu si deri tani, do të mbesin vetëm të tilla.”Kanë ardhur shumë njerëz, premtime kanë dhënë, por punë nuk na kanë dhënë… Veç janë t’u rrejt derisa po i marrin votat edhe kur po i marrin votat, me i shku tek dera po ju vie edhe mërzi… As nuk kemi ujë, as nuk kemi rrugë, as nuk kemi rrymë, as nuk kemi kanalizim”, u shpreh ai.

Halli më i madh për Muhamed Berishën, po ashtu banor i Plemetinit, është punësimi.”Insh-Allah bëhet mirë, se keq është, papunësi e madhe, asgjë nuk po bëjmë vetëm po rrimë… Së pari punësim”, tha ai.Ndryshe, në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 1 milion e 972 mijë e 466 votues.