08:49 / E Mërkurë, 06 Shkurt 2019 / indeksADMonline

​​Raiola pengon transferimin e De Ligt te Barcelona

Agjenti i mbrojtësit holandez ka kërkesa të mëdha.

E përditshmja katalanase El Mundo Dportivo ka zbuluar arsyen pse po vështirësohet arritja e marrëveshjes me Ajaxin për mbrojtësin e talentuar Matthijs De Ligt.

Sipas kësaj gazete, Mino Raiola është pengesa kryesore për të arritur te De Ligt. Menaxheri i njohur italian mësohet se ka vënë si kusht paraprak komisionin 10 milionë euro për të lejuar kalimin e talentit holandez te Blaugranat.

Drejtuesit e Barcelonës e konsiderojnë paradoks një kërkesë të tillë dhe jashtë logjikës.

Matthijs De Ligt, 19 vjeçar prej kohësh është shndërruar objektiv i kampionëve në fuqi të Spanjës.

Ai vlerësohet rreth 70 milionë euro, ndërsa kontrata me Ajaxin i përfundon më 30 qershor të vitit 2021.