75 Mall Live Search
21:27 / E Martë, 28 Maj 2019 / indeksADMonline

​​Sherifi: Reagimi i UNMIK-ut është i gabuar

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i ka shkruar përfaqësuesit të UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin se trajtimi i institucioneve të drejtësisë dhe të rendit në Kosovës “si palë” në raport me strukturat kriminale, është në kundërshtim me vlerat demokratike.

“Në deklaratën e shefit të UNMIK-ut në Kosovë, z. Zahir Tanin jo vetëm që nuk përmendet qëllimi i aksioneve të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, por përkundrazi vëmendja përqendrohet në ndalimin e dy punonjësve të këtij misioni. Heshtja e arrestimit të një grupi kriminal në të cilën ishin të përfshirë pjesëtarë të komunitetit serb, shqiptar dhe boshnjak dhe përqendrimi i vëmendjes në ndalimin e dy pjesëtarëve të këtij misioni është i qëllimshëm dhe krijon huti te shtetet anëtare të OKB-së që nuk kanë mundësi të informohen drejtë rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë këtyre operacione të luftës kundër krimit të organizuar”, shkruan Sherifi.

Postimi i Sherifit në Facebook:  

Zoti Tanin! Trajtimi i institucioneve të drejtësisë dhe të rendit në Kosovës “SI PALË” në raport me strukturat kriminale është në kundërshtim me vlerat demokratike!

Opinioni publik i Kosovës dhe ai ndërkombëtar u njoftuan sot se pas procesit hetimor disamujor kundër një rrjeti kriminal, ku ishin të përfshirë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale e Kosovës urdhëroi ndalimin e të gjithë atyre ndaj të cilëve kishte dyshime të bazuara se ishin të implikuar në krim të organizuar.

Operacionet e policisë u zhvilluan njëkohësisht në disa komuna si në Mitrovicën e Jugut, në Mitrovicën në Mitrovicë Jug, në Mitrovicë Veri, në Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan, Drenas dhe Skenderaj, gjatë të cilave u ndaluan 11 persona të përkatësisë etnike serbe, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë.

Në përpjekje për të penguar kryerjen e këtij operacioni në disa lokacione të komunave të pjesës veriore të Kosovës u ngritën barrikada dhe u përdorën forma të ndryshme të dhunës kundër Policisë së Kosovës, me ç’rast u plagosën me armë zjarri dhe me mjete të ndryshme pesë policë të Policisë se Kosovë.

Nga reagimet e shumta lidhur me aksionin kundër krimit të organizuar dallojnë reagimet e pushtetit të Serbisë dhe ai i UNMIK-ut. Për të gjithë njohësit e rrethanave në Kosovë është e qartë se reagimi i pushtetit të Serbisë ka për funksion të fshehë implikimin e vet në krimin e organizuar edhe në këtë pjesë të vendit tonë.

Ajo që është e paqartë ka të bëjë me mënyrën e reagimit të UNMIK-ut për ngjarjet e sotme . Reagimi i UNMIK-ut është i gabuar për disa arsye:

Së pari, në deklaratën e shefit të UNMIK-ut në Kosovë, z. Zahir Tanin jo vetëm që nuk përmendet qëllimi i aksioneve të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, por përkundrazi vëmendja përqendrohet në ndalimin e dy punonjësve të këtij misioni. Heshtja e arrestimit të një grupi kriminal në të cilën ishin të përfshirë pjesëtarë të komunitetit serb, shqiptar dhe boshnjak dhe përqendrimi i vëmendjes në ndalimin e dy pjesëtarëve të këtij misioni është i qëllimshëm dhe krijon huti te shtetet anëtare të OKB-së që nuk kanë mundësi të informohen drejtë rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë këtyre operacione të luftës kundër krimit të organizuar;

Së dyti, kjo deklaratë shtrembëron të vërtetën për përmasat e operacioneve policore duke e kufizuar vetëm në komunën e Mitrovicës Veri dhe duke e lënë në heshtje ndërhyrjen në komunat tjera të Kosovës;

Së treti, është e pa dinjitetshme për një mision si ky i UNMIK-ut që në këtë deklaratë nuk përmenden fare policët e plagosur në luftë kundër krimit të organizuar dhe ende pa u informuar hollësisht nga autoritetet zyrtare për rrethanat e ndalimit të punonjësve të vet kërkon me ultimatum lirimin e menjëhershëm të tyre;

Dhe së katërti, shefi i UNMIK-ut në Kosovë, z. Zahir Tanin në këtë deklaratë “kërkon nga të gjitha palët të respektojnë parimet e sundimit të ligjit”. Z. Zahir Tanin duhet ta dijë se institucionet e drejtësisë dhe të rendit në Kosovë kanë një mision të qartë në luftën kundër krimit të organizuar: të zbatojnë ligjin.  Përpjekja që institucionet e drejtësisë dhe të rendit në Kosovës të konsiderohen “SI PALË” në raport me strukturat kriminale mund të interpretohet si inkurajim për të penguar zbatimin e ligjit!