13:20 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

​ Dita e Çlirimit të Prishtinës, komuna mbajti Seancë Solemne

Sot, Kuvendi Komunal mbajti Seancë Solemne, për të shënuar kështu 19 vjetorin e çlirimit të Prishtinës. Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe drejtuesit e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, Veteranëve të Luftës, si dhe Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryesuesi i Kuvendit,  Agim Kuleta, nënkryetari i Komunës, Selim Pacolli, si dhe Kryetari i OVL-së në Prishtinë, Fatmir Sopi, mbajtën fjalë rasti me ç’rast ritheksuan rëndësinë e luftës çlirimtare që ka ndodhur në Kosovë, luftë kjo që ishte kulmi i angazhimit politik të shumë gjeneratave për shumë dekada.

Pas Seancës Solemne, delegacioni i përbërë nga përfaqësues të ekzekutivit, Kuvendit Komunal si dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, si dhe tek shtatorja e Heroit të Kombit, Zahir Pajazitit.