75 Mall Live Search
18:59 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / F.R

​10 pacientë i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike pa kurrfarë nevoje në Maqedonin e Veriut

Dhjetë pacientë në Maqedoni të Veriut i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike të zemrës pa nevojë, por vetëm për përfitime financiare.

Ky është konstatimi tronditës i fazës së parë të analizës së Komisionit të brendshëm, i cili pas gati tre muajsh hetime publikoi sot të dhënat paraprake për skandalin që ka goditur sistemin shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se komisioni ka analizuar pacientët që janë operuar nga sëmundjet koronare dhe vaskulare periferike.

“Komisionit i janë dorëzuar gjithsej 25 raste nga të cilat u konstatua se gjashtë nga ato raste duhet ti përcjellën Inspektoratit Sanitar Shëndetësor pasi Komisioni nuk ka kompetencë për to. Janë analizuar 19 raste dhe nga këto raste 10 prej tyre komisioni ka konstatuar se operacionet janë kryer pa nevojë ose pacientët janë referuar për operacion pa indikacione të mjaftueshme”, tha Azir Alu, ministër i shëndetësisë.

Kryetari i Komisionit, Zharko Hristovski, tha se anëtarët vepruan në bazë të dokumentacionit mjekësor në dispozicion dhe mbi raportet e paraqitura personalisht nga pacientët në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe mbi raportet e paraqitura nga institucionet mjekësore dhe Ministria e Shëndetësisë. Tha se në këtë fazë nuk do të publikojë emrat e pacientëve dhe institucionet e përfshira, për shkak se analiza është ende në rrjedhë, Alsat.m.

“Me rezultatet e analizës tonë fillestare, më tej do të veprojmë së bashku me një komision ndërkombëtar, një analizë shtesë të këtyre rasteve për të cilat kemi përcaktuar indikacion problematik ose problem në përcaktimin e indikacioneve ose përcaktimin e një strategjie për shërim. Kështu që me rezultatet përfundimtare dhe me rastet e paraqitura në fazën e dytë do të hyjmë në institucione dhe do të analizojmë një numër të caktuar të rasteve në lidhje me strategjinë e shërimit të pacientëve me probleme kardiovaskulare. E gjithë kjo duhet të sjellë rezultate në përmirësimin e trajtimit të këtyre pacientëve”, deklaroi Zharko Hristovski, kryetar i komisionit.

Komisioni deri më tani ka analizuar vetëm rastet e denoncuara nga institucionet dhe pacientët, por në fazën tjetër, do të pasojnë kontrolle, jo vetëm në spitalet private, por edhe në spitalet shtetërore që trajtojnë patologji kardiovaskulare. Komisioni paralajmëroi se raporti i plotë, i cili pritet të publikohet në fazën e dytë të hetimeve, mund të zbulojë shkelje edhe më të rënda. I pari që foli mbi operacionet kardiokirurgjike ishte kirurgu Sasho Kedev, i cili tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme vetëm për përfitim financiar. Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë.