12 të plagosur e 2 të vdekur nga të shtënat me armë zjarri në Alabama

Persona të armatosur hapën zjarr në mesin e një turme të madhe në qendër të Montgomery, Alabama – SHBA, duke lënë dy të vdekur, përfshirë një adoleshent, ndërsa lëndime pësuan 12 persona të tjerë.
Shefi i Policisë së Montgomery, James Graboys, tha se të shtënat me armë shpërthyen rreth orës 23:30 të së shtunës, në lagjen e jetës së natës së qytetit.
Policia beson se një nga viktimat ishte në shënjestër, por disa persona filluan të qëllonin në zonën e dendur të mbushur me njerëz pasi u dëgjuan të shtënat e para.
Shefi i Policisë së Montgomery, James Graboys, tha se tre nga të plagosurit u shtruan në spital me lëndime kërcënuese për jetën. Policia u thirr rreth orës 23:30 për atë që Graboys e përshkroi si një “të shtënë masive”.
“Këto ishin dy palë të përfshira që praktikisht po qëllonin njëra-tjetrën në mes të një turme”, u tha Graboys gazetarëve.
Autorët, tha ai, “nuk u interesuan njerëzit përreth tyre kur e bënë këtë”. Graboys tha se hetuesit po shqyrtonin provat dhe po intervistonin të dyshuarit e mundshëm, megjithëse askush nuk ishte akuzuar të dielën herët, raporton CNN, përcjell KosovaPress.
“Ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për të mbledhur çdo provë për të ndjekur këdo që është i përfshirë”, tha Graboys.
Graboys identifikoi dy viktimat si 17-vjeçari Jeremiah Morris dhe Shalanda Williams, 43-vjeçe.
Kryebashkiaku i Montgomery, Steven L. Reed, tha se një “mosmarrëveshje” nxiti të shtënat, por nuk dha detaje shtesë.
Të shtënat shpërthyen ndërsa qyteti tërhoqi mijëra njerëz për Panairin Shtetëror të Alabamës, festat e shikimit të futbollit dhe rikthimin në shtëpi të Universitetit Shtetëror të Alabamës. Asnjë nga këto ngjarje nuk kishte ndonjë përfshirje në të shtënat e fundjavës.
“Mijëra njerëz kanë qenë në qytet këtë fundjavë dhe vetëm një ose dy veta u deshën për të ndryshuar të gjithë rezultatin”, tha Reed.