17:19 / E Mërkurë, 29 Prill 2020 / indeksADMonline

​13 persona nga stafi mjekësor në Kaçanik në vetëizolim

Komuna e Kaçanikut, e cila javën e kaluar ka shënuar rastet e para me COVID19, aktualisht në izolim ka një familje me gjashtë anëtarë dhe 13 persona nga personeli shëndetësor, derisa një person qëndron në Repartin e Ortopedisë.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, i cili shton se në këtë komunë 7 persona janë identifikuar si të prekur me COVID-19, ku për 6 prej tyre dihet burimi i infeksionit, teksa për një person i cili ndodhet në Spitalin e Ortopedisë nuk dihet burimi i infeksionit.

“Deri më tani zyrtarisht kemi 7 persona në Komunën e Kaçanikut të identifikuar me COVID-19. Fatmirësisht, dje kemi pasur 13 mostra të reja që janë marrë si burim i infeksionit, por të dyshuar dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativë. Deri më tani kemi vetëm një familje të izoluar…Është nga fshati Dubravë. Megjithatë, të gjitha mostrat e marra në atë familje kanë rezultuar negative, kurse personi në fjalë është i shtrirë në spitalin e Ortopedisë dhe burimi i infeksionit është ende enigmë”, tha ai.

Sipas tij 13 pjesëtarët mjekësorë që kanë pasur kontakte me personin e shtrirë në ortopedi janë vetizoluar.

“Sa i përket stafit shëndetësor, ne i kemi 13 persona, të cilët kanë pasur kontakt me personin në fjalë, Mendojmë se kanë pasur masa përgatitëse preventive, por sidoqoftë gjithë personelin që një javë e kemi në pushim, në vetizolim…Kemi 10 ditë nga një fond emergjent që kemi ndarë në Komunën e Kaçanikut diku 13 mijë euro dhe pajisjet janë në nivel të duhur”, tha ai.

Në gjithë territorin e Kosovës deri mbrëmë janë konfirmuar 790 raste me koronavirus, prej tyre 232 të shëruar dhe 22 të vdekur.